LEZHË- Një zjarr i përmasave të konsiderueshme ka përfshirë pasditen e sotme zonën e Grykë-Lumit, në Shënkoll të Lezhës, duke shkaktuar dëme në rreth dy hektarë tokë të mbjellë me pemë frutore. Flakët janë evidentuar rreth orës 14:30 dhe për shkak të përhapjes së tyre situata është bërë më problematike, pasi zjarri është afruar pranë një banese dykatëshe.
Banorët kanë ndërhyrë fillimisht për të frenuar përhapjen e flakëve, ndërsa më pas në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet zjarrfikëse. Ndërhyrja ka bërë të mundur izolimin e vatrës dhe parandalimin e përfshirjes së banesës nga zjarri. Nga të dhënat paraprake, dyshohet se shkak i rënies së zjarrit mund të ketë qenë djegia e mbetjeve bujqësore në tokat pranë zonës.
Ndërkohë, grupi hetimor ka nisur punën për të përcaktuar shkakun e saktë të zjarrit dhe rrethanat në të cilat ai është përhapur./ZËRI