Aktualitet

Zjarret në vend, 5 vatra ende aktive në Dibër, Fier dhe Shkodër

Vatrat aktive janë të përqendruara në qarqet Dibër, Fier dhe Shkodër. Sipas autoriteteve, flakët nuk paraqesin aktualisht rrezik për banesat apo zonat e banuara.

M.K.
Zjarret në vend, 5 vatra ende aktive në Dibër, Fier dhe
FOTO NGA ZJARRET NE VEND

TIRANË- Pesë vatra zjarri vijojnë të jenë aktive në disa zona të vendit, ndërsa situata deri në këto momente paraqitet nën kontroll dhe nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

Sipas përditësimit të Ministrisë së Mbrojtjes, gjatë ditës së sotme janë evidentuar gjithsej 21 vatra zjarri, nga të cilat një pjesë janë shuar, ndërsa pesë vijojnë të kërkojnë ndërhyrje nga shërbimet në terren.

Vatrat aktive janë të përqendruara në qarqet Dibër, Fier dhe Shkodër. Sipas autoriteteve, flakët nuk paraqesin aktualisht rrezik për banesat apo zonat e banuara.

Për përballimin e situatës janë angazhuar 324 forca operacionale vendore dhe lokale, së bashku me 17 automjete zjarrfikëse. Në terren kanë dalë gjithashtu 92 efektivë të Forcave të Armatosura, të cilët po kontribuojnë në operacionet për izolimin dhe shuarjen e vatrave.

Njoftimi i Ministrisë së Mbrojtjes:

Ministria e Mbrojtjes – përditësim mbi situatën e zjarreve

Përmbledhje e situatës së zjarreve – 11.09.2026, ora 20:00

Gjatë ditës së sotme janë raportuar 21 vatra zjarri në territorin e vendit, prej të cilave 5 mbeten aktive, 9 janë nën mbikëqyrje dhe 7 janë shuar plotësisht.

Në operacionet për përballimin e situatës janë angazhuar 324 forca operacionale vendore dhe lokale dhe 17 automjete zjarrfikëse, ndërsa Forcat e Armatosura kanë mbështetur operacionet me 92 efektivë, 10 mjete, 1 dron dhe 1 ambulancë.

Në Qarkun Tiranë, zjarri në Malin e Dajtit është fikur, pas angazhimit gjatë ditës edhe të 33 forcave ushtarake, 4 mjeteve dhe 1 ambulance, ndërsa nuk ka rrezik për zonat e banuara. Vatra në Malin me Gropa është izoluar dhe mbahet nën mbikëqyrje.

Në Qarkun Dibër vijojnë aktive vatrat në Lundre–Madhesh të Matit, Cerrujë–Mali i Allushit në Klos dhe Selishtë, ndërsa Qafa e Helmes në Bulqizë mbahet nën mbikëqyrje.

Në Qarkun Shkodër, vatra në Porav, Fushë-Arrëz, mbetet aktive. Zjarri në Rragam, Shkodër, është nën mbikëqyrje dhe gjatë ditës u mbështet edhe nga 22 forca ushtarake dhe 3 mjete, ndërsa vatra në malin e Tërbunit mbahet gjithashtu nën mbikëqyrje. Nuk raportohen banesa në rrezik në Rragam dhe Tërbun.

Në Qarkun Fier, vatra në Çërrilë, Mallakastër, mbetet aktive, por është izoluar. Në operacion janë angazhuar strukturat vendore, ndërsa në mbështetje kanë operuar 32 forca ushtarake dhe 3 mjete. Vatra në Peshtan mbahet nën mbikëqyrje.

Vatrat e tjera në Lezhë, Elbasan dhe Korçë vijojnë të mbahen nën mbikëqyrje. Në Opar të Korçës nuk rrezikohen banesa, ndërsa në Gallatë të Kurbinit terreni i vështirë pengon operimin e mjeteve, por nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) vijon të ndjekë në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin e vendit, në koordinim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.

Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve./ZËRI

Poll

MOS HUMB