LEZHË- Prokuroria e Lezhës ka kërkuar pushimin e akuzave për tre të dyshuarit, dy vite pas përplasjes me armë zjarri të ndodhur pranë një shkolle 9-vjeçare në Rrilë të Lezhës. Kërkesa është depozituar në gjykatë pas përfundimit të hetimeve për ngjarjen e 6 marsit 2024, ku mbeti i plagosur Agron Puka.
Në përfundim të hetimeve, Prokuroria thotë se nuk janë siguruar prova që implikojnë në ngjarje,Vinçens Tukun, Kevin Ndokën dhe Amarildo Kola (Ndreca), të cilët pas përplasjes ishin proceduar dhe shpallur në kërkim. Tre personat ishin nën hetim për veprat penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim dhe e mbetur në tentativë, si dhe “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Gjithashtu, Prokuroria ka kërkuar dhe shuarjen e masës së sigurimit personal të caktuar ndaj tre të dyshuarve me vendimin nr. 690-120, datë 9 mars 2024, të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë. Kërkesa do të shqyrtohet tashmë nga gjykata, e cila do të vendosë nëse do ta pranojë apo jo pushimin e procedimit. Deri në një vendim përfundimtar të gjykatës, tre personat vijojnë të konsiderohen të dyshuar dhe gëzojnë prezumimin e pafajësisë për veprat penale për të cilat janë proceduar.
Ngjarja u regjistrua më 6 mars të vitit 2024, ndërsa Agron Puka u plagos pasi persona të armatosur qëlluan në drejtim të tij pasi ai la fëmijët në shkollë, në fshatin Rrilë të Lezhës. Nga hetimet rezultoi se edhe Puka iu përgjigj të shtënave, duke qëlluar me armë zjarri. Por, në deklaratën e tij para policisë, 54-vjeçari Puka tha se edhe ai kishte qëlluar për vetëmbrojtje, pasi tre persona i kishin zënë pritë. Pas ngjarjes, në pranga përfundoi Amarildo Kola, si dhe vetë i dëmtuari në ngjarje për shkak se kishte një armë pa leje, por ky i fundit u la u lirë në korrik të po atij viti. Shkak për pritën u zbulua se ishte një përplasje që kishin pasur më parë palët për motive të dobëta./ZËRI




