
LEZHË- Detaje të reja nga atentati që ndodhi mëngjesin e sotëm në fshatin Rrile të Lezhës, ku mbeti i plagosur 54-vjeçari Agron Puka. Ai sapo kishte lënë fëmijët në shkollën 9-vjeçare dhe është qëlluar me breshëri në drejtim të makinës së tij Audi.
Ai ishte duke lëvizur me makinën e tij, ndërkohë që është qëlluar. Ngjarja ka ndodhur në afërsi të shkollës së këtij fshati duke shkaktuar rrezik dhe për të tjerët.
Mësohet se Puka ka marrë një plumb në shpatull, dhe do ti nënshtrohet një ndërhyrje kirurgjikale në spitalin e Lezhës. Në vendin ku ka ndodhur atentati, nuk rezulton që të ketë kamera sigurie, dhe pritet që të merren në pyetje persona që mund të kenë qenë dëshmitarë të ngjarjes.
“Rreth orës 08:00, në fshatin Rrilë, shtetasi A. P., 54 vjeç, banues në fshatin Rrilë, duke lëvizur me automjet, është plagosur me armë zjarri nga 1 person ende i paidentifikuar. 54-vjeçari është transportuar në spitalin rajonal të Lezhës, ku është në kujdesin e mjekëve (aktualisht jashtë rrezikut për jetën).
Shërbimet e Policisë, me marrjen e njoftimin, kanë shkuar menjëherë ne vendngjarje, është rrethuar zona dhe janë ngritur pika kontrolli.
Njëkohësisht, në ndihmë të Policisë vendore, janë nisur Forcat Kombëtare të Sigurisë të Njësisë Shkodër.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit”, thuhet në njoftimin e policisë.
/ZËRI