
TIRANË- Ka dështuar seanca e parë në Gjykatën e Posaçme, ku pritej të përballej kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi me ish-drejtorin e Policisë së Shkodrës Edmond Sula. Seanca e parë, që do të mbahej sot, por nuk u zhvillua pasi nuk u paraqit as avokati i Bardhit, por edhe vetë kreu i grupit parlamentar i PD-së. Ky i fundit mungoi, pasi ndodhet në Londër, Angli. Në seancën e parë, palët ftohen për të zgjidhur konfliktin me mirëkuptim mes njëri-tjetrit, por kjo tentativë duket se ka dështuar.
Nga Foltorja e Kuvendit të Shqipërisë, Bardhi tha se ish-kryepolici i Shkodrës ishte caktuar në detyrë nga Pëllumb Gjoka, fakt që sipas tij e kishte mësuar nga zbardhja e bisedave të përgjuara në aplikacionin "SkyECC". Bardhi lexoi edhe kodet nga ku ishte marrë bashkëbisedimi, duke zbuluar se një prej tyre ishte biznesmeni Pëllumb Gjoka. Tjetëri, bazuar në të dhënat që ka nxjerrë vetë SPAK, u konfirmua nga ZËRI se ishte Ardit Hasanbegaj, i cili në datën 16 shkurt 2020 mbante postin e zv/drejtorit të Policisë Shkodër.
Por çfarë përmbanin bisedat?
"Unë po të pyes; si ta quajnë drejtorin e policisë së Shkodrës, e di emrin? Ta them unë kush ta ka emëruar. Kodi pin i Sky EÇ, DGLXJM: O vëlla ka llafe për atë mikun tënd ministër të Brendshëm. Di gjë ti? Përgjigjet kodi sky 7142D9: Po por kam frikë se nuk e bën! Ndërhyn prapë kodi DGLXJM: Mua Mondi më duhet një dimër aty vëlla. Në fakt Mondi është drejtori aktual i policisë Shkodër që u emërua një muaj pasi ky miku i ministrit të Brendshëm është përfaqësues i një prej bandave më të rrezikshme në vend u bë ministër i Brendshëm,"-tha Bardhi në Kuvend.
Përgjigjia e parë kundër tij erdhi vetëm disa orë më pas, nga vetë ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha. Nga Kuvendi, ministri i ri i cilësoi si gënjeshtra pretendimet e demokratit, ndërsa Sulaj paralajmëroi betejën ligjore ndaj demokratit. Pas denoncimit të Bardhit në Kuvend,ish-drejtori i Policisë premtoi përballje në gjyq me Bardhin./ZËRI