Aktualitet

Bardhi akuza se u emërua nga bandat, reagon Drejtori i Policisë së Shkodrës: Shpifje, do bëj kallëzim penal!

Edmond Sulaj tha se këto janë shpifje ndaj tij që cenojnë figurën e tij si Drejtor i Policisë së Shkodrës.

I.F
Bardhi akuza se u emërua nga bandat, reagon Drejtori i Policisë
Edmond Sulaj

Drejtori i Policisë së Shkodrës, Edmond Sulaj ka reaguar pas akuzave që Gazment Bardhi ngriti në Kuvend, duke thënë se është emëruar në atë pozicion nga bandat kriminale.

Ai tha se këto janë shpifje ndaj tij që cenojnë figurën e tij si Drejtor i Policisë së Shkodrës. Sulaj shprehet se ai e ka marrë këtë detyrë 3 vitë më vonë pas periudhës së cilës i referohet Bardhi. Më tej drejtori i policisë ka paralajmëruar se do të ngrejë kallëzim penal ndaj Bardhit.

“Lidhur me disa deklarime të bëra nga një përfaqësues i një subjekti politik në seancën plenare të datës 12.09.2024 të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për disa insinuata për emërimin tim Drejtor të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, unë ndiej përgjegjësinë morale dhe profesionale të sqaroj opinion publik se këto deklarata të bëra sot, janë shpifje, të pabazuara dhe synojnë që të cenojnë figurën time në këtë proces të rëndësishëm të hapjes së konkurseve për pozicionet drejtuese në Policinë e Shtetit.

Sqaroj opinionin publik se unë Drejtuesi i Parë Edmond Reis SULAJ, jam emëruar në këtë pozicion sipas Urdhrit të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit nr. 6108, datë 11.10.2023. Sqarohet qartësisht se emërimi im, është kryer rreth 3 vite më vonë se periudha kohore së cilës i referohet deklaruesi.

Në vijim, informoj se do të procedoj me hapat ligjorë që parashikon ligji në fuqi, përfshirë edhe depozitimin e një kallëzimi penal”, shkruan Sulaj në rrjetet sociale.

Gazment Bardhi, tha sot në Kuvend se drejtori i Policisë së Shkodrës Edmond Sulaj është emëruar në këtë pozicion nga bandat. Bardhi lexoi dy biseda në sky, ku Pëllumb Gjoka dhe një person tjetër diskutonin për emërimin e një ‘Mondi’ në krye të Policisë së Shkodrës. /ZËRI

Poll

MOS HUMB