
SHKODËR- Pas debateve të forta në Kuvend dhe akuzave të Gazment Bardhit se Drejtori i Policisë së Shkodrës Edmond Sulaj është emëruar në atë pozicion për shkak të bandave kriminale, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Sokol Bizhga ka zhvilluar një takim informal në policinë vendore të Shkodrës. Ky takim, shënon edhe vizitën e parë që Bizhga po zhvillon si kreu i Policisë së Shteti, pas dorëheqjes së Muhamet Rrumbullakut më 5 shtator.
Gjatë takimit, Bizhga ka kërkuar që strukturat vendore të rrisin veprimtaritë për goditjen e bandave kriminale, pasi kohët e fundit janë raportuar ngjarje të shumta kriminale në Shkodër. Kreu i Policisë së Shtetit po ashtu shtoi se duhet të rritet kujdesi pranë shkollave dhe qendrave të banimit si dhe goditja ndaj grupeve të trafikimit të lëndëve narkotike.
Ndërsa të enjten, gjatë seancës plenare, Gazment Bardhi lexoi në Kuvend një bisedë që sipas tij është shkëmbyer në aplikacionin e koduar për emërimin e Edmond Sulajt në krye të Policisë së Shkodrës.
Bashkë me bisedën, Bardhi lexoi edhe kodet nga ku ishte marrë bashkëbisedimi, duke zbuluar se një prej tyre ishte biznesmeni Pëllumb Gjoka. Tjetri, bazuar në të dhënat që ka nxjerrë vetë SPAK, u konfirmua nga ZËRI se ishte Ardit Hasanbegaj, i cili në datën 16 shkurt 2020 mbante postin e zv/drejtorit të Policisë Shkodër.
Menjëherë pas kësaj, deputeti Erion Braçe dhe ministri Ervin Hoxha i dolën në mbrojtje Edmond Sulaj dhe i cilësuan si gënjeshtra fjalët e Bardhit. Pas kësaj reagoi edhe Sulaj, i cili paralajmëroi një kallëzim penal kundër Bardhit./ZËRI