Aktualitet

Gjuha shqipe në RMV/ Shtyhet seanca e Gjykatës Kushtetuese, gjyqtarët shqiptarë bojkotojnë (Debatet ndër vite)

Ndërsa, anëtarja Dobrilla Kacarska kundërshtoi vendimin për shtyrjen e seancës duke thënë se është Gjykata Kushtetuese, e cila vendos për Ligjin e gjuhëve.

I.F
Gjuha shqipe në RMV/ Shtyhet seanca e Gjykatës Kushtetuese,
Foto ilustruese

SHKUP- Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut ka shtyrë seancën për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së Ligjit për përdorimin e gjuhëve për një datë të pacaktuar. Në seancën e ardhshme priten të marrin pjesë ekspertë të fushave të ndryshme dhe përfaqësues të partive politike që pritet të paraqesin argumentete e tyre në lidhje me konstetimin e Ligjit për gjuhët. Seanca u shtye pas propozimit të anëtares së Gjykatës Kushtetuese, Elizabeta Dukovska, e cila është në krye të kësaj çështje. Ndërsa, anëtarja Dobrilla Kacarska kundërshtoi vendimin për shtyrjen e seancës duke thënë se është Gjykata Kushtetuese, e cila vendos për Ligjin e gjuhëve.

Ligji për gjuhët parasheh përdorim të zgjeruar të gjuhës shqipe dhe e përmend atë në mënyrë specifike në nenin 2. Në hapjen e seancës të mërkurën, gjykatësi Fatmir Skënderi propozoi shtyrjen e seancës për dy javë, me qëllim që të sigurohej prania e dy gjykatësve shqiptarë dhe plotësimi i përbërjes së gjykatës. Propozimi u hodh poshtë me votim, dhe pas kësaj gjykatësi Skënderi lëshoi seancën. Seanca e së mërkurës filloi me mungesën e dy anëtarëve shqiptarë të Gjykatës Kushtetuese, Osman Kadriu dhe Naser Ajdari, që bojkotuan procesin.

Nëpërmjet bojkotit, Kadriu dhe Ajdari synojnë të bllokojnë nisjen e procedurës për këtë ligj. Kjo lidhet me një konkluzion të miratuar nga Gjykata Kushtetuese gjatë viteve 2022 dhe 2023, që kërkon pjesëmarrjen unanime të të gjithë anëtarëve për procedurat që kanë të bëjnë me Ligjin për gjuhët, Marrëveshjen e Prespës dhe Ligjin për komunikime elektronike. Bojkotin nga ana e gjyqtarëve shqiptarë ishte paralajmëruar më herët nga Izet Mexhiti, zëvendëskryeministër i parë i Maqedonisë së Veriut nga partia e VLEN-it. Sipas tij “vendimi nuk mund të kishte legjitimitet”.

“Është deklaruar se nëse dikush mungon në seancë, atëherë nuk ka legjitimitet vendimi”, tha Mexhiti më 6 dhjetor duke siguruar se "ligji nuk do të preket".

Ndërkohë, lideri i Bashkimi Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, që udhëheq me Frontin Evropian, deklaroi para njerëzve të mbledhur se data e 11 dhjetorit 2024 i rikujton periudhën e vitit 1989, kur, sipas tij, “Millosheviçi pengoi autonominë e Kosovës”.

“Të punojmë së bashku. Ne kurrë nuk e kemi kontestuar gjuhën apo kulturën e tyre. Gjithmonë kemi qenë përkrah tyre, duke kërkuar mënyra për të mbrojtur së bashku vlerat tona dhe ato të bashkëqytetarëve tanë maqedonas. Në fund të fundit, jetojmë nën të njëjtin qiell dhe na ngroh i njëjti diell. Ne dëshirojmë që vendi ynë të jetë në paqe dhe i integruar në Bashkimin Evropian”, tha Ahmeti, pas vendimit, duke shtuar se paqja nuk duhet të cenohet, dhe vendimet e Kushtetueses nuk duhet të merren në mënyrë të njëanshme.

BDI-ja edhe më herët ka shprehur shqetësim se nëse neni 23, paragrafi 5 i Ligjit për gjuhët aprovohet, atëherë ai mund të bëhet i pazbatueshëm.

Po ashtu edhe kryeministri Edi Rama reagoi dje pas debatit për gjuhën shqipe, duke thënë se nuk është një çështje e Gjykatës Kushtetuese apo e përkohshme e partive politike, por një e drejtë e shqiptarëve që jetojnë në vendin fqinjë.

"Unë nuk them që ata që besojnë në Gjykatën Kushtetuese të vendeve të tjera e kanë gabim, por unë mendoj se çka shqipja ka fituar si të drejtë qytetarie në Maqedoninë e Veriut nuk është çështje e Gjykatës Kushtetuese, nuk është çështje e ligjeve apo vullneteve të përkohshme të partive politike. Them të përkohshme se partitë politike zgjidhen 1 herë në 4 vjet dhe herë janë në një anë herë në tjetrën, por gjuha shqipe në Maqedoninë e veriut është një çështje e materies që ka ndihmuar në mënyrë të jashtëzakonshme që jo vetëm të mbajë bashkë Maqedoninë e Veriut, por edhe të ushqejë një frymë dhe një mënyrë të parit të bashkëjetesës mes dy popujve shtetformues të Maqedonisë së veriut, maqedonasve dhe shqiptarëve. Në një sens si ai që Arbën Xhaferri e tregon si ëndrrën e tij më të madhe, në sensin e integrimit të dy popujve shtetformues të Maqedonisë së Veriu në sistemin e vlerave perëndimore, poltike etike e kulturore. Kjo është një gjë shumë e madhe për tu futur në labirinthe juridike që tanimë i përkasin të kaluarës, pasi shumë vite më parë Arbën Xhaferri dhe Ali Ahmeti bashkë me të tjerë, por unë këta të dy kam si dy kokat e shqiponjë së Ohrit, u vendos në piketat e bashkëjetesës paqësore dhe e shtet ndërtimit europian të Maqedonisë së atëhershme dhe Maqedonisë së Veriut sot. Nuk u vendos nga Xhaferri dhe Ahmeti, por nga shqiptarët të përfaqësuar në tavolinë nga Xhaferri dhe të vendosur në male nga Aliu dhe maqedonasve të përfaqësuar nga përfaqësuesit e tyre më të lartë të kohës,"-tha ndër të tjera Rama.

Gjuha shqipe u caktua në vitin 2018 si gjuhë zyrtare në Maqedoninë e Veriut. Asokohe gjuha shqipe u miratua me 69 vota pro dhe asnjë kundër, pasi mori votat e partive shqiptare dhe të LSDM-së ndërsa në sallë munguan deputetët e VMRO-DPMNE-së. Partia Demokratike për Bashkim Kombëtar Maqedonas ndër vite është shprehur se gjuha shqipe shkakton probleme të rënda ndëretnike.

Debati për ligjin e gjuhëve në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut filloi prej shtatorit të vitit 2017, por miratimi i këtij ligji ngeci në Kuvend për shkak të Partisë VMRO, deri sa në vitin 2018 ligji i miratuar për dygjuhësinë vendosi që gjuha shqipe të jetë zyrtare jo vetëm në komunat me të paktën 20% të popullsisë shqiptare, por edhe në nivel kombëtar.

Derisa në shtator, dy muaj pas formimit të qeverisë në koalicion me shqiptarët e VLEN, në institucione të rëndësishme si Gjykata Kushtetuese, u shfaqën qëndrime kundër përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe. Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, paralajmëroi nisjen e një iniciative kundër gjuhës shqipe, duke deklaruar se “ligji për përdorimin e gjuhëve ka krijuar një kaos juridik që është shndërruar në kaos politik”. Menjëherë pas kësaj deklarate reagoi edhe Koalicioni VLEN, ku i bëri thirrje Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut që të mos marrë një iniciativë që rrezikon sovranitetin e vendit. Partitë politike shqiptare e quajtën këtë si një iniciativë për grusht shteti, ku bërën thirrje që të mos preket statusi i gjuhës shqipe.

“Trupi Koordinues i VLEN-it, pa dëshirën për të ndërhyrë në kompetencat e Gjykatës Kushtetuese, e konsideron të rrezikshme dhe të papranueshme kërkesën e tyre për të shqyrtuar kushtetutshmërinë e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. Ne besojmë se kjo iniciativë, e cila buron nga forca të njohura për qëndrimet e tyre kundër NATO-s, është një përpjekje për grusht shteti përmes eksperimenteve juridike. Nëse kjo iniciativë pranohet, mund të çojë në një krizë të rëndësishme për arritjet kyçe të shtetit, duke përfshirë ndryshimin e emrit kushtetues, i cili u realizua pa firmën e presidentit të atëhershëm, Gjorge Ivanov, dhe që mundësoi anëtarësimin në NATO. Një akt i tillë do të rrezikonte stabilitetin dhe sovranitetin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, duke kërcënuar seriozisht orientimin e saj euro-atlantik”, deklaroi VLEN në shtator të këtij viti.

Ndërsa, po në shtator të këtij viti kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski tha se realiteti ndonjëherë është i hidhur dhe se vendi i tij nuk është “tryezë suedeze”, ku mund të marrësh atë që të pëlqen dhe ta lësh atë që nuk të pëlqen. Mickoski u shpreh se është person që i respekton ligjet dhe pret që kjo të pranohet edhe nga të tjerët.

"Nuk besoj se do të ketë mundësi për destabilizim… Unë jam person që i respektoj ligjet dhe kushtetutën dhe nuk pres që kushdo qoftë që merr pagë dhe shfrytëzon privilegjet e qytetarëve këtu tek ne, të mos i respektoj ligjet e Maqedonisë dhe Kushtetutën e Maqedonisë. Ndoshta edhe mua më paraqet problem diçka që është bërë në të kaluarën me Kushtetutën, dhe sado që të mos pajtohem dhe të jem kundër, siç është përdorimi i mbiemrit “E Veriut”, unë derisa ta ushtroj këtë funksion do të qëndroj para kësaj shenje, sepse nuk dua që në këtë mënyrë ta lëndoj Kushtetutën e Maqedonisë dhe Ligjet e Maqedonisë, kjo është kjo. Ndonjëherë realiteti mund të mos ju pëlqej, por ju duhet ta pranoni atë realitet, në rast se vërtet luftoni për sundimin e së drejtës. Ndonjëherë në jetë gjërat shkojnë ashtu siç ju dëshironi, por ndonjëherë nuk janë ashtu siç ju i dëshironi. Nuk është kjo një tryezë suedeze që të mund të marrim atë që na pëlqen, ajo që nuk na konvenon ta lëmë anësh. Ka disa struktura në shoqëri të cilat kanë për qëllim që të mbrojnë kapitalin e tyre të fituar në mënyrë kriminale, që të shkaktojnë incidente dhe shkaktojnë destabilizim, por në rast se kjo ndodhë ne do të reagojmë në mënyrë objektive në drejtim të mbrojtjes së sigurisë së vendit tonë”, u shpreh Mickoski.

Po ashtu tensione të tjera u ndezën në shtator, ku tabelat e gjuhës shqipe u hoqën nga rrugët, edhe pse Gjykata Kushtetuese ende nuk kishte vendosur. Kjo solli reagime të ashpra në Kuvend, ku tabelat shqip u rivendosën sërish. Ndërsa Mickoski e quajti heqjen e tabelave një lëvizje kriminale që kishte si qëllim të shkaktonte destabilitet në vend.

“Cili institucion është nuk e di, mendoj se nuk është institucion, po mendoj se është pjesë e atij planit për destabilizim të atyre strukturave kriminale që në vitet e kaluara u pasuruan në kurriz të qytetarëve. Të atyre kriminelëve politik që pak nga pak kanë luajtur me institucionet, pak dhanë licenca për videolotari të egra, lotari online dhe kështu me radhë. Mendoj se ata tani janë të frikësuar sepse e dinë, marrin informacione se si ngadalë hetimi afrohet drejt tyre dhe ata të frikësuar tani reagojnë në këtë mënyrë, që ta destabilizojnë shtetin dhe nuk kanë sukses”, tha kryeministri Mickoski.

Ndërsa disa ditë më parë Koalicioni Fronti Evropian që udhëhiqet nga BDI njoftoi se do të ncdërmarrin nisjen e iniciativës “Roja e Gjuhës”, një veprim që ka si synim të ndalojë “tendencat politike që minojnë Kushtetutën dhe Marrëveshjen e Ohrit”. Nga ky koalicion deklaruan se do të qëndrojnë para Gjykatës Kushtetuese në Shkup, deri në shqyrtimin e Ligjit për gjuhët, ligj i cili është në qendër të debateve të vazhdueshme. /ZËRI

Poll

MOS HUMB