
TIRANË- Një bisedë e shkëputur nga aplikacioni "SkyECC" ka sjellë debate në Kuvend dhe reagimin e një prej zyrtarëve të lartë të Policisë së Shtetit. Nga Foltorja e Kuvendit të Shqipërisë, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi lexoi një bisedë që sipas tij është shkëmbyer në aplikacionin e koduar për emërimin e Edmond Sulajt në krye të Policisë së Shkodrës. Bashkë me bisedën, Bardhi lexoi edhe kodet nga ku ishte marrë bashkëbisedimi, duke zbuluar se një prej tyre ishte biznesmeni Pëllumb Gjoka. Tjetëri, bazuar në të dhënat që ka nxjerrë vetë SPAK, u konfirmua nga ZËRI se ishte Ardit Hasanbegaj, i cili në datën 16 shkurt 2020 mbante postin e zv/drejtorit të Policisë Shkodër.
Por çfarë përmbanin bisedat?
Në fjalën e tij në Kuvend, Bardhi lexoi një bisedë duke treguar se ajo ishte një panoramë e mënyrës sesi ishte bërë zgjedhja e drejtorit të Policisë së Shkodrës. Sipas tij, Sulajn e zgjodhën nga bandat kriminale.
"E dija që ishe ekspert i inceneratorë, por që të ishe ekspert i mbetjeve të rrezikshme këtë nuk na i kishte marrë mendja. E meqë fole që zotrote ja di mirë punëve të shtetit, Rai të akuzoi që je i lidhur me krimin e organizuar. Unë po të pyes; si ta quajnë drejtorin e policisë së Shkodrës, e di emrin? Ta them unë kush ta ka emëruar. Kodi pin i Sky EÇ, DGLXJM: O vëlla ka llafe për atë mikun tënd ministër të Brendshëm. Di gjë ti? Përgjigjet kodi sky 7142D9: Po por kam frikë se nuk e bën! Ndërhyn prapë kodi DGLXJM: Mua Mondi më duhet një dimër aty vëlla. Në fakt Mondi është drejtori aktual i policisë Shkodër që u emërua një muaj pasi ky miku i ministrit të Brendshëm është përfaqësues i një prej bandave më të rrezikshme në vend u bë ministër i Brendshëm,"-tha Bardhi në Kuvend.
Përgjigjia e parë kundër tij erdhi vetëm disa orë më pas, nga vetë ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha. Nga Kuvendi, ministri i ri i cilësoi si gënjeshtra pretendimet e demokratit, duke shtuar se Sulaj është një prej drejtuesve më të mirë të policisë, ndërkohë që shërben prej 27 vitesh në radhët e uniformave blu. Ndërkohë ZËRI kishte kërkuar një prononcim edhe nga kryepolici i Shkodrës, por ky i fundit zgjodhi që të përgjigjej zyrtarisht në rrjetet e tij sociale. Në përgjigjen e tij, Sulaj paralajmëroi një kallëzim penal kundër Bardhit. Por debati nuk mbeti me kaq!
Sërish në Kuvend tema u hap sërish nga deputeti Erion Braçe, i cili gjithashtu doli në mbrojtje të drejtuesit të Policisë. Edhe ministri Hoxha ndërhyri duke i cilësuar gënjeshtra fjalët e Bardhit, ndërsa ky i fundit u vuri në dukje kohën që iu desh për ta replikuar. Por pa e llogaritur se në momentin që bëri denoncimin, në fakt ishte në interpelancë me kryeministrin Edi Rama. Në fakt edhe pse interpelanca ishte për mbetjet toksike që ishin nisur drejt Tajlandës, denoncimit i Bardhit eklipsoi çështjen për të cilën ishin mbledhur. Por pritet që çështja të bëhet më e madhe se kaq. Një kallëzim nga Sulaj mund ta vërë Bardhin para përgjegjisë për të dhënë shpjegime për mënyrën sesi i ka siguruar mesazhet e "SkyECC" të cilat i janë dorëzuar vetëm Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nga partnerët e huaj.
Sigurisht që demokrati nën petkun e një deklarate politike mund të mbrojë veten dhe të mos tregojë burimin nga ku i ka siguruar mesazhet, por ndoshta nuk mund t'i shpëtojë një marrjeje në pyetje. Kjo situatë në fakt, ngjason me atë të ish-kryedemokratit Lulzim Basha, i cili gjithashtu nga Foltorja e Kuvendit denoncoi mbërritjen e 3.4 mln eurove të fshehura në një mjet "Toyota Yaris". Asokohe Basha u mor në pyetje nga Prokuroria e Krimeve të Rënda (e cila u shkri pas krijimit të SPAK) për të mësuar sesi dhe nga kush ishte informuar Basha për kalimin e parave. Ndoshta, llogari për "burimin" e tij do duhet të japë edhe Bardhi, sidomos nëse Sulaj i qëndron premtimit të tij publik dhe i depoziton kallëzim./ZËRI