BERAT- Debate dhe tensione kanë shoqëruar takimin e kryeministrit Edi Rama me një përfaqësi qytetarësh të Poliçanit, në Berat, në kuadër të diskutimeve për Reformën Territoriale. Mes të pranishmëve ishte edhe aktorja e njohur Egla Ceno, e cila, siç u raportua edhe më herët pati një përplasje verbale me kryeministrin.
Në një prononcim pas mbledhjes, Ceno tregoi detaje nga takimi, ku sipas saj, qytetarëve nuk iu dha mundësia e fjalës për të shprehur mendimin e tyre.
Sipas saj, Rama vijoi me fjalën e tij, ndërsa disa qytetarë në sallë tentuan të kërkonin fjalën për të replikuar, por nuk u lejuan. Ceno tha se drejt fundit të takimit, i kërkoi kryeministrit që t’i dëgjonte qytetarët, por ky i fundit i ka kërkur largimin nga salla.
Madje, sipas aktores, kryeministri kërkoi ndërprerjen e mbledhjes deri në largimin e saj nga salla. Por, Ceno thotë se bashkë me të, u larguan dhe qytetarët e tjerë, duke braktisur kështu takimin, dëgjesën me kryeministrin.
“Ishim një grup përfaqësues nga Poliçani në Berat për Reformën Territoriale. Poliçani është qytet që shpesh e ka shprehur mendimin e tij nëpërmjet qytetarëve. Në mbledhje ministri Demo hapi takimin dhe u dha fjalën qytetarëve, folën dy prej tyre. Kur kërkuam xhiron e mikrofonit, ndërhyri kryeministri dhe tha nuk jemi këtu të kuptojmë sa mirë jetohet në Poliçan, dhe nisi një fjalim që nuk e di sa zgjati po që kishte përgjigje vetë, kishte djem nga salla që ngrinin dorën për të replikuar, po asnjë nuk u lejua të flasë.
Kur ishte drejt funditi thashë: 'A mund të flasim, a do na dëgjoni?'. Më tha: 'Dil jashtë'. 'Po mo', i thashë, 'dal edhe jashtë', por më thanë që kemi ardhur sepse kryeministri do na dëgjojë zërin. 'Dil jashtë', të lutem, i thashë. 'Jo, mos m’u drejto kështu.'
U çua shumë i irrituar dhe tha: “Ndërpritet mbledhja derisa të dali zonja jashtë.” Në atë moment, i gjithë komuniteti u bë bashkë me mua dhe dolëm të gjithë jashtë. Nuk pati as provokime nga ana jonë. Unë vetëm i kërkova të na dëgjonte dhe të flisnim”, u shpreh Egla Ceno.
Takimi i kryeministrit Rama në Berat u zhvillua në kuadër të diskutimeve për Reformën Territoriale. Dëgjesa është zhvilluar në ambientet e brendshme të një hoteli në Berat, me një përfaqësi qytetarësh nga Poliçani, mes të cilëve ishte dhe aktorja Egla Ceno./ZËRI
