Politikë

Debate dhe tensione në Berat për "Territorialen"/ Rama përplaset me banorët e Poliçanit dhe Egla Cenon: Qepeni gojën

Mësohet se gjatë takimit të kreut të qeverisë me një përfaqësi qytetarësh, pjesë e së cilës ishte edhe aktorja Egla Ceno, situata është tensionuar për shkak të përplasjeve verbale, çka ka çuar në largimin e qytetarëve.

zh.ll
Debate dhe tensione në Berat për "Territorialen"/  Rama
foto ilustrim: edi rama-egla ceno

BERAT- Tensione dhe debate të forta kanë shoqëruar takimin e kryeministrit Edi Rama në Berat, në kuadër të diskutimeve për Reformën Territoriale.

Mësohet se gjatë takimit të kreut të qeverisë me një përfaqësi qytetarësh, pjesë e së cilës ishte edhe aktorja Egla Ceno, situata është tensionuar për shkak të përplasjeve verbale, çka ka çuar në largimin e qytetarëve.

Dëgjesa është zhvilluar në ambientet e brendshme të një hoteli në Berat dhe ka nisur me një prezantim nga Ministri i Pushtetit Vendor, Ervin Demo. Sipas burimeve, pas përfundimit të fjalës së Demos, banorët e Poliçanit janë ngritur për të diskutuar dhe për të ngritur shqetësimet e tyre. Por, në këtë moment, po sipas burimeve, ka reaguar kryeministri Rama duke iu drejtuar me frazën "Qepeni gojën".

Pas kësaj deklarate të kreut të qeverisë, qytetarët kanë reaguar të revoltuar dhe ka nisur një debat mes kryeministrit Rama, kryebashkiakut të Poliçanit Adriatik Zotkaj dhe aktores Egla Ceno. Pas përplasjes, përfaqësuesit e Poliçanit kanë reaguar duke u larguar nga salla, në shenjë proteste ndaj qëndrimit të kryeministrit Rama. 

Sipas drafit të PS-së, parashikohet shkrija dhe bashkimi: Dimal + Berat + Poliçan → Bashkia Berat.

Takimi në Berat zhvillohet në kuadër të konsultimeve për Reformën Territoriale, ndërsa propozimi i PS për “Reformën Territoriale 2.0” ka shkaktuar reagime dhe protesta në disa prej bashkive që parashikohet të shkrihen.

Propozimi i PS për ndarjen e re territoriale parashikon riorganizimin e hartës së pushtetit vendor dhe uljen e numrit të bashkive në 15 të tilla, nga 61 në 46. Në listën e bashkive që propozohet të shkrihen janë: Fushë-Arrëz, Klos, Rrogozhinë, Dimal, Poliçan, Patos, Divjakë, Selenicë, Maliq, Këlcyrë, Memaliaj, Libohovë, Cërrik, Belsh dhe Përrenjas, të cilat do t’i bashkohen bashkive më të mëdha. Sipas propozimit, struktura e re do të përbëhet nga 46 bashki, 71 qytete përbërëse dhe 387 njësi administrative, ndërsa 20 bashki do të kenë më shumë se një qytet.

Nga ana tjetër, Partia Demokratike në draftin e saj propozon rritjen e numrit të bashkive nga 61 qe janë aktualisht në 100 bashki. Drafti i PD parashikon ndarje me 100 bashki, 12 qarqe dhe 6 rajone. Sipas demokratëve, shtimi i numrit të bashkive do të mundësojë ofrimin e shërbimeve më cilësore për qytetarët dhe një menaxhim më efikas të territorit./ZËRI

Poll

MOS HUMB