Politikë

"Vetë Zot, vetë shkop"/ Pagat e magjistratëve, Rama publikon shifrat: Gjykatësi në Shqipëri paguhet 500 € më shumë se kolegu grek

Sipas kryeministrit, një gjykatës fillestar në Shqipëri aktualisht paguhet 500 euro më shumë se një koleg i tij në Greqi dhe Mal të Zi.

zh.ll
"Vetë Zot, vetë shkop"/ Pagat e magjistratëve, Rama
edi rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me ngërçin për pagat e magjistratëve, duke kundërshtuar rritjen e mëtejshme të tyre. Përmes një postimi në rrjetin social “X”, Rama ka krahasuar pagat e gjyqtarëve në Shqipëri me ato në Greqi dhe Mal të Zi, duke argumentuar se diferencat mes tyre janë të konsiderueshme.

Sipas kryeministrit, një gjykatës fillestar në Shqipëri aktualisht paguhet 500 euro më shumë se një koleg i tij në Greqi dhe Mal të Zi. Ndërkohë që thekson se kjo diferencë do të thellohej edhe më tej sipas vendimit të marrë nga KLGJ dhe KLP për rritjen e pagave.

“Një gjykatës fillestar sot në Shqipëri merr 500 Euro pagë më të lartë se sa kolegu në Greqi dhe me vendimin e marrë vetë Zot vetë Shkop, paga duhet të rritet 2000 Euro më shumë në muaj se sa kolegu grek dhe 3000 Euro më shumë se sa kolegu në Malin e Zi”, shkruan kryeministri Rama në X.

Reagimi i kryeministrit vjen në një kohë kur çështja e pagave të magjistratëve ka shkaktuar debat mes institucioneve. Magjistratët i janë drejtuar Gjykatës Administrative për çështjen e pagave, ndërsa kjo e fundit shqyrtoi të premten kërkesat e Gjykatës së Posaçme dhe Gjykatës së Durrësit. Zhbllokimi i pagave nga Gjykata Administrative, përmes pranimit të kërkesës për sigurimin e padisë, përbën një zgjidhje të përkohshme, pasi nuk e zgjidh çështjen në themel. Ndërkohë, padia vijon të shqyrtohet nga Gjykata Administrative, e cila do të shprehet përfundimisht mbi themelin e çështjes.

Pse u krijua ngërçi me pagat në drejtësi?

Kjo situatë u krijua pasi Kuvendi nuk miratoi brenda afatit 31 korrik, formulën e re të pagave të magjistratëve, pas kërkesës së Gjykatës Kushtetuese. Pas kalimit dhe afatit dhe në mungesë të një zgjidhjeje ligjore, KLGJ dhe KLP përcaktuan një pagë të re referuese prej 222 mijë e 425 lekësh, nga 156 mijë e 800 lekë, plus shtesën prej 14 mijë lekësh për nivelin e kualifikimit. KLGJ dhe KLP argumentuan se ishin të detyruara të zbatonin vetë vendimin e Kushtetueses dhe përcaktuan pagën referuese.

Nga ana tjetër, Ministria e Financave nuk ekzekutoi listëpagesat e përllogaritura me rritjen, duke argumentuar se përcaktimi i formulës së pagave është kompetencë e Kuvendit. Në një reagim zyrtar, Ministria e Financave kërkoi që të ridërgoheshin listëpagesat sipas metodologjisë së mëparshme. Sakaq, për pasojë, pagat e gushtit nuk janë ekzekutuar për gjyqtarë, prokurorë dhe një pjesë të administratës së gjykatave e prokurorive./ZËRI

Poll

MOS HUMB