Politikë

Përplasja për pagat e magjistratëve, Bardhi: Rama të japë llogari

Bardhi akuzon qeverinë se nuk ka zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke kërkuar shpjegime për vonesat në zbatimin e tij.

M.K.
Përplasja për pagat e magjistratëve, Bardhi: Rama të
gazmenT bardhi

TIRANË- Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama për pagat e magjistratëve dhe situatën e krijuar në sistemin e drejtësisë.Bardhi akuzon qeverinë se nuk ka zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke kërkuar shpjegime për vonesat në zbatimin e tij.

Sipas kreut të grupit parlamentar të PD-së, prej disa muajsh nuk janë ndërmarrë hapat e nevojshëm për reflektimin e vendimit në legjislacion. Ai e lidh situatën e krijuar me mosveprimin e qeverisë dhe shumicës parlamentare. Në reagimin e tij, Bardhi ngre gjithashtu çështjen e pagave të funksionarëve të lartë dhe pretendon se rritjet e tyre kanë qenë më të mëdha në raport me atë që i është ofruar sistemit të drejtësisë.

Bardhi kërkon nga kryeministri Rama të sqarojë arsyet e moszbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe masat që qeveria synon të marrë për zgjidhjen e situatës së krijuar me pagat e magjistratëve dhe administratës së gjykatave e prokurorive.

Reagim i kryetarit të grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi:

Edi Rama duhet të japë llogari për moszbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese! Edi Rama po përpiqet prej ditësh të manipulojë opinionin publik për pagat e magjistratëve, për të fshehur përgjegjësinë e tij për një situatë të paprecedentë: sistemi i drejtësisë është lënë në kolaps financiar, ndërsa magjistratët dhe administrata e gjykatave e prokurorive janë lënë pa paga. Por propaganda nuk mund të zëvendësojë përgjegjësinë. Edi Rama duhet t’u përgjigjet shqiptarëve:

Pse për pesë muaj nuk zbatoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese? Pse qeveria e tij nuk ndërmori asnjë veprim për të zbatuar një vendim detyrues të Gjykatës Kushtetuese, edhe pse ishte e qartë se mosveprimi i Kuvendit brenda datës 31 korrik 2026 do të sillte pasojat e parashikuara nga vetë Gjykata? Pse, deri më sot, Këshilli i Ministrave nuk ka paraqitur asnjë projektligj që reflekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pagat e magjistratëve, por është fshehur pas dy deputetëve të tij që as dinë çfarë kanë firmosur?

Këto janë pyetjet që Edi Rama duhet t’u përgjigjet. Jo të sulmojë sistemin e drejtësisë. Jo të ndërtojë alibi. Jo të prodhojë propagandë. Edi Rama ia rriti rrogën vetes me 100%, ndërsa magjistratëve u thotë: “Nuk mund t’jua rris me 51%”! Në periudhën 2022–2023, në emër të rritjes së kostos së jetesës dhe çmimeve, pagat e funksionarëve dhe punonjësve të sektorit publik u rritën ndjeshëm, në disa raste deri në 100% të vlerës së tyre. Përfituan Presidenti, Kryeministri, ministrat, deputetët, drejtuesit dhe një pjesë e administratës publike. Por gjyqtarët dhe prokurorët u lanë jashtë kësaj rritjeje. Ata nuk përfituan asnjë rritje page gjatë asaj periudhe.

Më e rëndë është se kjo vendimmarrje e Kuvendit është vlerësuar si antikushtetuese nga Gjykata Kushtetuese, përmes dy vendimeve. Pavarësisht kësaj, Edi Rama dhe shumica e tij në Kuvend shkelën vendimin e parë të Gjykatës Kushtetuese dhe, prej pesë muajsh, refuzojnë të zbatojnë edhe vendimin e dytë. Ky është i vetmi shkak i krizës së paprecedent të krijuar në sistemin e drejtësisë.

Edi Rama gënjen po ashtu kur përpiqet t’ia faturojë Gjykatës Administrative detyrimin për pagesat e prapambetura që nga prilli 2023. Ky detyrim është përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese në vendimin e shkurtit 2026, duke përcaktuar madje edhe formulën mbi bazën e të cilës përllogaritet pagesa e prapambetur. Përpjekja për të deformuar faktet dhe për t’ia transferuar përgjegjësinë institucioneve të tjera është thjesht një tjetër përpjekje për t’iu shmangur llogaridhënies.

Në një shtet normal, vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk negociohen, nuk interpretohen sipas interesit politik dhe nuk zvarriten për pesë muaj. Zbatohen. Në një shtet të së drejtës, qeveria nuk mund të zgjedhë se cilat vendime respekton dhe cilat jo. Prandaj, Edi Rama duhet t’u japë llogari shqiptarëve. Përse nuk e zbatoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese?

Përse lejoi që sistemi i drejtësisë të mbërrinte në këtë pikë? Dhe përse, në vend që të zgjidhë krizën, po përpiqet ta mbulojë atë me propagandë? Edi Rama siç i ka dhënë urdhër Ministrit të Finacave të bllokojë llogaritë e pagave të magjistratëve, ashtu i ka dhënë urdhër edhe Parlamentit të mos zbatojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Prandaj, shqiptarët meritojnë përgjigje, jo justifikime. Kushtetuta nuk është zgjedhje politike. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë detyruese. Dhe askush, përfshirë Edi Ramën, nuk është mbi Kushtetutën./ZËRI

Poll

MOS HUMB