Politikë

Territorialja/ Rama: Bashkitë e vogla nuk i bëjnë dot të gjitha funksionet

Takimi u zhvillua pa praninë e mediave dhe, sipas Ramës, diskutimet u përqendruan te bashkimet e mundshme të Libohovës me Gjirokastrën, Memaliajt me Tepelenën dhe Këlcyrës me Përmetin.

M.K.
Territorialja/ Rama: Bashkitë e vogla nuk i bëjnë dot të
EDI RAMA

GJIROKASTËR- Kryeministri Edi Rama ka dhënë detaje mbi diskutimet e zhvilluara në takimin e së shtunës në Gjirokastër, ku në fokus ishte Reforma Territoriale dhe mundësia e bashkimit të disa bashkive në jug të vendit. Takimi u zhvillua pa praninë e mediave dhe, sipas Ramës, diskutimet u përqendruan te bashkimet e mundshme të Libohovës me Gjirokastrën, Memaliajt me Tepelenën dhe Këlcyrës me Përmetin.

Sipas kryeministrit këto ndryshime synojnë fuqizimin ekonomik dhe social të komuniteteve, si dhe një organizim më racional të burimeve njerëzore në nivel vendor. Rama e ka lidhur gjithashtu këtë proces me përgatitjet për administrimin e fondeve që pritet të vijnë në kuadër të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Kryeministri ka theksuar se bashkimi i bashkive nuk do të nënkuptonte zhdukjen e përfaqësimit të qyteteve. Sipas tij, secili qytet do të ketë drejtuesin e vet, i cili do të jetë njëkohësisht nënkryetar i bashkisë së re, ndërsa përfaqësuesit e zonave do të jenë pjesë e këshillit bashkiak.

Rama është ndalur gjithashtu edhe te funksionet që, sipas tij, bashkitë e vogla e kanë të vështirë t'i realizojnë për shkak të kapaciteteve të kufizuara.

Postimi i Ramës:

Gjirokastër, diskutim pa media për bashkimet e Libohovës - Gjirokastër, Memaliaj - Tepelenë, Këlcyrë - Përmet, në funksion të fuqizimit ekonomik e social të komuniteteve dhe racionalizimit të burimeve njerëzore në rrafshin vendor, si edhe përgatitjes për punën me fondet e anëtarësimit në BE.

Qëllimi është për të pasur një përqëndrim më racional, të disa funksioneve që nuk i bëjnë dot bashkitë e vogla, edhe të mëdhatë i kanë të vështira. Ndryshe nga sot, çdo qytet, do drejtohet nga drejtuesi i qytetit, që do jetë njëkohësisht edhe nënkryetari i bashkisë. Do ketë përfaqësuesit e vet në këshillin bashkiak. Do ndahet këshilli bashkiak me kuota, kaq kouota nga Libohova. Si do ia marrim ne buxhetin Libohovës dhe ta çojmë në Gjirokastër? Si? Aty në këshill, Libohova do ketë përfaqësuesit e vet. E njëjta gjë në Memaliaj dhe Tepelenë. Ato janë dy qytete të barabarta. Jam dakord që njësitë administrative sot, nuk funksionojnë si duhet, nuk bëjnë atë gjënë për të cilën, janë të parët që duhet ta bëjnë./ZËRI

Poll

MOS HUMB