TIRANË- Pas një qëndrimi prej rreth një jave në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kryedemokrati Sali Berisha është rikthyer sot në Shqipëri.
Gjatë vizitës në SHBA, Berisha zhvilloi një sërë takimesh ku në qender të deklarimeve të tij ishin zhvillimet politike në Shqipëri, si dhe shqetësimet lidhur me ndikimin e krimit të organizuar dhe parave të drogës në politikë dhe në proceset zgjedhore.
Pas mbërritjes në vend, Berisha është pritur në aeroportin e Rinasit nga një grup simpatizantësh të Partisë Demokratike. Ata ishin mbledhur në aeroport me flamuj të PD-së dhe të Shteteve të Bashkuara.
Vizita e kreut të PD-së në SHBA vjen në një periudhë kur opozita vijon denoncimet e saj ndaj qeverisë dhe kërkon ndryshime në mënyrën e funksionimit të institucioneve dhe proceseve zgjedhore në vend./ZËRI