Aktualitet

I la fishek dhe letër kërcënuese te dera/ 56-vjeçari në Vorë i vuri 300 mijë € 'gjobë' kushëririt, arrestohet nga Policia (EMRI)

Gjatë kontrollit në banesën e 56-vjeçarit, policia sekuestroi municion luftarak, veshjet që dyshohet se janë përdorur gjatë ngjarjes, si dhe një aparat celular.

zh.ll
I la fishek dhe letër kërcënuese te dera/ 56-vjeçari
pamje nga arrestimi

VORË- Një 56-vjeçar i identifikuar si Ardian Muka është arrestuar nga Policia e Tiranës, pasi dyshohet se ka kërcënuar kushëririn e tij dhe familjarët e tij me qëllim për t’u marrë shumën prej 300 mijë eurosh.

Sipas Policisë, ngjarja u denoncua nga shtetasi E. M., i cili kishte gjetur në portën e banesës së tij, në fshatin Gërdec, një fishek dhe një letër me përmbajtje kërcënuese për jetën e tij dhe familjarëve. Në letër, sipas uniformave blu, kërkohej dhënia e shumës prej 300 mijë eurosh.

Gjatë kontrollit në banesën e 56-vjeçarit, policia sekuestroi municion luftarak, veshjet që dyshohet se janë përdorur gjatë ngjarjes, si dhe një aparat celular.

Njoftimi i Policisë:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Mesazhi”.

Kanosi kushëririn e tij dhe familjarët e tij, me qëllim për t’i marrë shumën prej 300 000 euro, arrestohet në flagrancë 56-vjeçari.

Sekuestrohen municion luftarak, veshjet e përdorura gjatë ngjarjes dhe një aparat celular.

Pas kallëzimit të bërë nga shtetasi E. M., se në portën e banesës së tij, në fshatin Gërdec, kishte gjetur një fishek dhe një letër me përmbajtje kërcënuese për jetën e tij dhe familjarëve, me qëllim për t’i dhënë shumën prej 300 000 eurosh, specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 7, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda nën drejtimin e Prokurorisë, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Mesazhi” me qëllim identifikimin e autorit dhe dokumentimin e rastit.

Në kuadër të operacionit u bë e mundur identifikimi dhe arrestimi i shtetasit A. M., 56 vjeç, banues në Vorë.

Ky shtetas, nëpërmjet kanosjes për jetën, ka kërkuar nga kushëriri i tij, shtetasi E. M., dhënien e shumës prej 300 000 eurosh, duke kanosur gjithashtu edhe familjarët e tij.

Gjatë kontrollit të banesës së tij u gjetën dhe u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, municion luftarak, veshjet e përdorura gjatë ngjarjes dhe 1 aparat celular.

Vijon puna për dokumentimin e plotë të rastit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, shpërthyese dhe municionit”.

Poll

MOS HUMB