CETINJË- Një 56-vjeçar i identifikuar nga mediat malazeze si pjesëtar i klanit kriminal 'Skaljari' është ekzekutuar me armë zjarri në qytetin e Cetinjës në Mal të Zi.
Viktima është identifikuar si Milos Duriçkoviç. Trupi i tij u gjet mëngjesin e kësaj të shtune në zonën e Bajices pasi një qytetar njoftoi policinë për praninë e një personi të pajetë.
Sipas njoftimit të Drejtorisë së Policisë në Mal të Zi, efektivët konstatuan se 56vjeçari ishte vrarë me armë zjarri. Autoritetet bllokuan vendin e ngjarjes dhe disa akse rrugore përreth, ndërsa kanë nisur kërkimet për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Hetimet po zhvillohen në bashkëpunim me Prokurorinë e Lartë të Shtetit në Podgoricë. Deri më tani, policia nuk ka dhënë detaje mbi autorin apo motivet e mundshme të krimit.
Sipas medias malazeze 'Vijesti', Duriçkoviç ishte pjesë e klanit 'Skaljari', një prej organizatave kriminale më të njohura në Mal të Zi e përfshirë prej vitesh në konfliktin e përgjakshëm me grupin rival 'Kavaç'./ZËRI