MEKSIKË-Nata e 20 nëntorit 2026 ka qenë një nga më të dhunshmet në Sinaloa, gjatë së cilës është raportuar kapja e Fausto Isidro Meza Flores , i njohur ndryshe si 'El Chapo Isidro', një nga trafikantët e drogës më të kërkuar nga FBI-ja dhe autoritetet meksikane, pasi ai është i lidhur me Kartelin Guasave.
Sipas FBI-së, Meza Flores dyshohet se është përfshirë në posedimin, shpërndarjen dhe importimin në SHBA të sasive të mëdha të heroinës, metamfetaminës, kokainës, fentanilit dhe marijuanës. Për informacione që do të çonin në arrestimin e tij, autoritetet amerikane kishin ofruar një shpërblim prej 5 milionë dollarësh, raportojnë mediat e huaja.
Operacioni për kapjen e tij u shoqërua me përplasje të dhunshme mes ushtrisë meksikane dhe personave të armatosur në Guasave. Të shtënat shkaktuan panik edhe në stadiumin Kuroda Park, ku po zhvillohej një ndeshje bejsbolli mes ekipeve Venados de Mazatlán dhe Algodoneros de Guasave.
El Chapo Isidro', identifikohet nga autoritetet e Shteteve të Bashkuara si një nga udhëheqësit kryesorë të trafikut të drogës në Meksikën veriperëndimore. Ai ka lindur më 19 qershor 1982 dhe filloi të fitonte famë për shkak të lidhjeve të tij me organizatën Beltrán Leyva, megjithëse me kalimin e kohës besohet se ka formuar grupin e tij kriminal, të njohur si Karteli Guasave , me një prani të fortë në Sinaloa.
Fausto Isidro Meza Flores u shtua në listën e FBI -së të 10 të arratisurve më të kërkuar më 4 shkurt 2025, për shkak të akuzave që lidhen me trafikun ndërkombëtar të drogës dhe veprat penale që lidhen me armët e zjarrit. Ai ishte kërkuar nga Shtetet e Bashkuara për disa vite, pasi Departamenti i Thesarit e kishte identifikuar atë si një udhëheqës të dyshuar kriminal që nga viti 2013, dhe në vitin 2019 ai u akuzua zyrtarisht për komplot për shpërndarjen e drogës.