
BRITANI E MADHE-Një pilulë që mund të zvogëlojë dhe ndoshta të eliminojë tumoret e pankreasit po cilësohet si përparimi më i madh prej dekadash për trajtimin e kësaj forme kanceri. BBC shkruan se një në 12 pacientë që morën ilaçin daraxonrasib gjatë një studimi klinik, kanceri u kthye në të padallueshëm, ndërsa tumoret ndaluan së rrituri në pothuajse të gjithë 61 pacientët pjesëmarrës në studim. Pjesëmarrësit ishin diagnostikuar kohët e fundit me kancer të avancuar të pankreasit, i cili ishte përhapur edhe në pjesë të tjera të trupit.
Kanceri i pankreasit është i njohur për vështirësinë e trajtimit dhe ka shkallën më të ulët të mbijetesës nga të gjitha kanceret e zakonshme në Mbretërinë e Bashkuar. Edhe pse kimioterapia mund t’i zvogëlojë pak tumoret, kanceri shpesh rritet përsëri. Shumica e pacientëve me sëmundje të avancuar mbijetojnë muaj, jo vite.
Mjekët shpresojnë që trajtimi i ri mund t'u ofrojë pacientëve më shumë kohë, edhe nëse nuk mund ta ndalojë kancerin përgjithmonë.
Studimi i ndoqi pacientët mesatarisht për një vit e gjysmë dhe disa prej tyre nuk përjetuan rikthim të kancerit gjatë kësaj periudhe. Nevojiten studime më të gjata për të kuptuar nëse disa prej këtyre tumoreve mund të kalojnë në remision (fazë kur sëmundja nuk është më e dallueshme ose është nën kontroll) dhe për sa kohë mund të zgjasë kjo gjendje.
Rezultatet e studimit të fazës I/II
- Tumoret ndaluan së rrituri te 90% e pacientëve.
- Pak më shumë se 60% e pacientëve patën zvogëlim ose zhdukje të tumoreve.
- Te rreth 8% e pacientëve, ose një në 12, tumoret u bënë të pazbulueshme në skanimet CT.
Mbijetesë më e gjatë
Dr. Wungki Park, nga Qendra e Kancerit Memorial Sloan Kettering në SHBA, i cili është i përfshirë në këtë studim, tha se rezultatet e deritanishme janë jashtëzakonisht inkurajuese.
“Po fillojmë të shohim jo vetëm një përqindje më të lartë të reagimit të tumoreve ndaj trajtimit, por edhe përgjigje më të thella dhe pothuajse dyfishim të kohëzgjatjes së kontrollit të sëmundjes, gjë që në të ardhmen mund të përkthehet në mbijetesë më të gjatë”, tha ai.
Daraxonrasib është një ilaç i synuar që vepron duke bllokuar disa mutacione të caktuara, të njohura si RAS, të cilat gjenden në shumicën e rasteve të kancerit të pankreasit dhe nxisin rritjen e tumoreve. Dhjetëra forma të tjera të kancerit, përfshirë kancerin e mushkërive dhe atë të vezoreve, mund të kenë mutacione të ngjashme. Kjo do të thotë se ilaçi mund të ndihmojë edhe shumë pacientë të tjerë.