ITALI- Italia është përfshirë këtë të premte nga një grevë e përgjithshme 24-orëshe e thirrur nga sindikata më e madhe e Italisë Konfederata e Përgjithshme Italiane e Punës (CGIL), me demonstrata, marshime dhe tubime në 100 sheshe.
Që prej orëve të mëngjesit punonjës dhe studentë kanë dalë në rrugë për të kërkuar ndryshime në modelin social dhe ekonomik, ndërsa vendi është paralizuar në sektorët publikë dhe privatë, shkolla, kujdesi shëndetësor, zyrat publike dhe transportin lokal.
CGIL, e udhëhequr nga sekretari i përgjithshëm Maurizio Landini, thotë se po proteston kundër rritjes së kostos së jetesës dhe politikës ekonomike të qeverisë. Sindikata kundërshton rritjen e shpenzimeve kombëtare për riarmatim dhe thotë se po investohet shumë pak në politikat sociale, kujdesin shëndetësor dhe arsim.
Nën sloganin "Il futuro è adesso" (E ardhmja është tani), CGIL ka thënë se buxheti i qeverisë "përshpejton rënien dhe varfërimin e vendit". Kërkesat e saj përfshijnë punë të sigurt, të paguar siç duhet dhe jo të pasigurt, paga dhe pensione më të larta, taksim më të drejtë, një shërbim shëndetësor publik të vërtetë, të drejtën për arsim dhe akses në strehim./ZËRI