
TIRANË- Një operacion që ka marrë emrin "Botulinum toxin", ka çuar në pranga dy administratore të dy qendrave estetike në Tiranë dhe një furnitor të botoksit dhe neurotoksinave të tjera që janë të paligjshme në Shqipëri, duke qenë se nuk janë regjistruar në Agjencinë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore. Në pranga ka përfunduar "furnitori" Mildon Kumaraku dhe dy administratoret e 2 klinikave estetike, Xhuljana Mahmuti e Deisa Shehaj. ZËRI ka mësuar se në kërkim është shpallur edhe Skerdi Faria, administratori i klinikës “Keit”. Dy persona të tjerë janë shpallur në kërkim, ndërkohë që ka pasur edhe emra të cilët po hetohen në gjendje të lirë. Operacioni u zhvillua në qendrat estestike apo parukeritë në të cilat realizohet dhe procedura e injektimit të botoksit. Në total, Krimi Ekonomik në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka ushtruar kontroll në rreth 30 qendra estetike e parukeri në Tiranë. Kontrolle janë ushtruar edhe në banesa ku dyshohet se pronarët e këtyre qendrave mbanin stok mallin kontrabandë.