
TIRANË- ‘Shtëpitë e barit’ nuk janë vetëm një vepër që lulëzon në Mbretërinë e Bashkuar, aty ku herë pas here, arrestohen shqiptarë që kanë kaluar Kanalin me gomone në kërkim të një jete më të mirë, por që e kanë gjetur veten duke ujitur bimët jeshile të paligjshme.
Tashmë këto biznese po ushtrohen lirisht edhe në Shqipëri. Nga Valbona në Tepelenë, autoritetet kanë zbuluar shtëpitë ku kultivohen kanabis, të cilat janë ngritur duke pasur një bashkëpunim edhe nga institucionet që mund t’i inspektojnë ato, si punonjësit e OSHEE-së që janë të parët që sinjalizohen përmes faturave të kripura të energjisë elektrike.
Rasti më i fundit mund të themi që ishte kulmi, pasi guximi i ‘kokës së grupit’, tejkalonte çdo limit. Laboratorin për të kultivuar kanabis, ai e ngriti në një ndërtesë shtetërore. 46-vjeçari Sajmir Karaj, i njohur në zonë si një besimtar i devotshëm mysliman ngriti një ‘shtëpi bari’ në katin e dytë të një godine që është në varësi të Kadastrës. Denoncimin e bëri ish-deputeti Halit Valteri që aktualisht ka një detyrë të re në në zyrën e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.
Në momentin që shkoi për inspektim, u përball me 105 bimë narkotike dhe çdo mjet të nevojshëm për t’i kultivuar ato.
Fillimisht u vunë në pranga gjashtë persona, por tashmë, tre punonjësit e OSHEE-së, Ervis Pashollari, Elton Cenaliu dhe Gëzim Gjonpali janë lënë në "arrest shtëpie" bashkë me një prej bashkëpunëtorëve të Karajt, Reshit Tresa. Pas hekurave ndodhen Erlind Tresa, Asqeri Likaj dhe mirëmbajtësi i godinës së Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Elvis Lala. Vetë Saimir Karaj është shpallur në kërkim.
Vetëm pak ditë para se të zbulohej shtëpia e barit në Selitë, u kap një tjetër në Lezhë. Në pranga u vunë dy 24-vjeçarë që kishin kthyer një garazh në një ambient të përshtatshëm për të kultivuar bimët narkotike. Në total u gjetën dhe sekuestruan 70 doza cannabis sativa, 1 pistoletë me krehër me municion luftarak, 2 radio marrëse-dhënëse, 3 celularë dhe 1 automjet.
Në Lezhë është zbuluar një tjetër shtëpi bari që si autorë kishte miq të vëllait të deputetit socialist, Eduart Ndreca. Fillimisht në njoftimin e policisë u bë me dije se për tu marrë në pyetje ishte shoqëruar edhe vetë vëllai i deputetit, Armando Ndreca. Më pas, Armando Ndreca u la në masën ‘detyrim paraqitjeje’, ndërsa pas hekurave mbetën kunati i tij, Armel Nikdukaj dhe Elvis Shpellzai, të cilët u kapën në Kashnjet të Lezhës, në një stan që e kishin përshtatur për kultivim kanabisi. Gjithsej brenda kishte 2973 bimë narkotike, 50 llamba, pajisje ventilimi. Pra, të gjitha mjetet e nevojshme për të kryer kultivimin e kanabisit. Ditë më vonë, Gjykata e Apelit vlerësoi se arrestimi i Ndrecës ishte i paligjshëm me arsyetimin se nuk ka prova për përfshirjen e tij në këtë veprimtari.
Në dukje një ndërtesë e braktisur, e mbuluar nga ferrat e bimët e gjata, por brenda kishte një industri të mirëfilltë për kultivimin e 230 rrënjëve kanabisi. Në kërkim u shpallën dy persona.
Dy “shtëpi bari” me rreth 336 bimë narkotike u zbuluan në fshatin Xhan në Shkodër. Në pranga u vu një 46-vjeçar, i cili dyshohet kishte kultivuar bimët narkotike. Lënda narkotike ishte në proces tharje, ndërsa brenda ambienteve u gjet dhe u sekuestrua një armë zjarri kallashnikov e municione luftarake.
Në janar të këtij viti, policia zbuloi një banesë të përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike në Vlorë. Në pranga u vu një 37-vjeçar, ndërsa u shpall në kërkim një tjetër person. I arrestuari ishte personi që kishte në përdorim këtë banesë për të kultivuar bimët narkotike, ndërsa ai që u shpall në kërkim, ishte pronari i saj. Banesa u zbulua në lagjen “1 Maji”. Brenda shtëpisë u gjetën 160 pajisje elektrike (stabilizator energjie), 236 llampa elektrike, 10 aspiratorë, 5 filtra ajri si ato që përdoren për kultivimin e bimëve narkotike në ambiente të mbyllura dhe 10 bidona plastik me substanca kimike për bimët. Gjithashtu, u gjetën një sasi kanabisi të ndarë në 14 doza, municion luftarak dhe një kallëp lënde plasëse (tritol) me kapsollë detonatore të vendosur dhe fitil zjarrëpërcjellës të montuar.
Këto janë vetëm rastet e raportuara për vitin 2024, të cilat trëgojnë rritje të këtij fenomeni. Ajo që vihet re është se prangat u vihen punëtorëve dhe shumë rrallë arrihet tek financuesit, që në rastin më të mirë shpallen në kërkim.