
TIRANË- Partia Socialiste i ka marrë 3 emra demokratëve dhe i ka futur në listat e saj si kandidatë për deputetë. Edhe pse nuk janë "shpërblyer" me një vend në listat e mbyllura, sërish garojnë nën një sigël tjetër. Në Vlorë, PS ka vendosur që të fusë në garë Zamira Sinën, dekane në Universitetin e Vlorës. Gjatë prezantimit të emrave të listës, drejtuesi politik i qarkut, Bledi Çuçi i parapriu lajmeve duke treguar se Sina kishte qenë mbështetëse e Lulzim Bashës dhe Partisë Demokratike. Madje kishte mbajtur edhe një fjalim në "çadrën" e vitit 2017. Një tjetër emër që "rrëshqiti" nga lista e PD-së ishte edhe Sterjovski. Kryetari i partisë Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian (AMIE), Vasil Sterjovski u tërhoq nga koalicioni “Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore” dhe u bashkua me Partinë Socialiste.
Edhe në vitin 2021, Vasil Sterjovski i Aleancës së Maqedonasve ka qenë kandidat për deputet nën logon e PS-së në Qarkun e Korçës, por nuk arriti të shpallej fitues. Ai mori mandatin e deputetit vetëm në vitin 2019, kur opozita vendosi të djegë mandatet e saj. Një tjetër emër që është larguar nga opozita është dhe Blendi Sulaj që ka mbajtur postin e nën/Kryetarit të Partisë Republikane të drejtuar nga Fatmir Mediu. Nga PDIU ka ikur edhe Nusret Avdulla, i cili kandidon në listën e hapur të Fierit. Avdulla ka drejtuar degën e Fierit për PDIU dhe ka qenë deputet pas zgjedhjeve të 2021 për Qarkun e Fierit nga lista e PD-së. Ish-deputeti i Partisë Demokratike Alban Zeneli është rrjedhja e radhës nga demokratët që i është bashkuar skuadrës së Partisë Socialiste. Ai do të garojë në listën e hapur.
Alban Zeneli ka qenë deputet i Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë në legjislaturën 2013-2017. Edhe pse jo i Partisë Demokratike, një tjetër ikje nga kampi opozitar është edhe Endrit Brahimllari. Pas shumë përplasjeve me kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Meta, Brahimllari tha pak javë më parë se kërkonte që të angazhohej pranë Partisë Socialiste. E mesa duket kërkesa që bëri publikisht në një intervistë "ra në veshin e duhur". Tashmë, ai është i vendosur në listën e hapur të kandidatëve për deputetë në qarkun e Tiranës dhe i duhet që ta fitojë vetë vendin në Kuvend./ZËRI