SERBI- Gjykata e Lartë në Beograd ka vendosur lëshimin e një urdhër-arresti për Milan Radoiçiçin ish-nënkryetarin e Listës Serbe pas mosrespektimit të detyrimit për paraqitje periodike në polici. Krahas urdhër- arrestit, ndaj tij është caktuar edhe masa e sigurisë 'arrest me burg' në kuadër të çështjes që lidhet me sulmin në Banjskë të Kosovës.
Vendimi është konfirmuar nga Gjykata e Lartë në Beograd pasi Radoiçiç nuk është paraqitur më 15 nëntor në komisariatin e Savski Venacit ku duhej të konfirmonte se ndodhej në adresën e deklaruar.
Raportimet e BIRN bëjnë me dije se ai kishte respektuar më parë këtë detyrim, duke u paraqitur në polici më datat 1 dhe 15 të çdo muaji. Kontakti i fundit me autoritetet ishte regjistruar më 1 nëntor, ndërsa komisariati kishte përcjellë informacionin përkatës në gjykatë më 4 nëntor.
Ndërkohë Gjykata e Lartë kishte bërë të ditur më herët për televizionin N1 se po kontrollonte zbatimin e masave të vendosura ndaj tij, në bashkëpunim me institucionet kompetente. Pasaporta e Radoiçiçit ndodhet pranë gjykatës në Beograd.
Ai është nën hetim për përfshirjen e dyshuar në sulmin e 24 shtatorit 2023 në Banjskë në veri të Kosovës ku mbetën të vrarë katër persona, mes tyre një pjesëtar i Policisë së Kosovës dhe tre anëtarë të grupit të armatosur./ZËRI