Aktualitet

Gjykata e Lartë lë në fuqi dënimin me 12 vite burg për Francesco Becchettin, biznesmeni ende në kërkim

Biznesmeni italian është shpallur fajtor për krijimin e një skeme mashtrimi me TVSH dhe pastrim parash

F.I
Gjykata e Lartë lë në fuqi dënimin me 12 vite burg për
Francesco Becchetti

TIRANË-Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi dënimin e Apelit me 12 vite burg për Francesco Becchetti. Në vendimin e Apelit, dënimi me 17 vite burg ndaj biznesmenit u ul me 5 vite. Biznesmeni italian është shpallur fajtor për krijimin e një skeme mashtrimi me TVSH dhe pastrim parash.

Ai u akuzua për 4 vepra penale; “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Falsifikim Dokumentesh”, “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”. Becchetti vijon të jetë në kërkim ndërkombëtar.

Konflikti me Becchetti-n:

Përballja e Shqipërisë me investitorin italian, Francesco Beçhetti, në Qendrën Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve, përfundoi me një vendim në favor të tij, duke i akorduar një kompensim prej 110 milionë eurosh në vitin 2020. Pas këtij vendimi, investitori ka synuar mbledhjen e parave në llogaritë që shteti shqiptar ka jashtë kufijve, ku një prej tyre është llogaria e Albcontrol në Eurocontrol në Bruksel, ndërkohë që qeveria thekson se beteja ende nuk ka mbaruar.

Në 26 maj 2021, në Qendrën Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve (ICSID) u paraqit një tjetër kërkesë e Shqipërisë sa i takon përplasjes me investitorin italian Francesco Beçhetti ku u regjistrua një kërkesë për korrigjim të vendimit për anulim të paraqitur nga Republika e Shqipërisë. Por në prill 2023, Beçhetti fiton përfundimisht Arbitrazhin me qeverinë shqiptare.

Zanafilla e përplasjes mes shtetit dhe investitorit nisi në qershor të 2015-ës, kur u bllokuan asetet e Francesco Beçhetti-t. Bllokimi i këtyre aseteve çoi edhe në mbylljen e televizionit Agon Channel, element që u përdor nga Beçheti për të çuar çështjen në Arbitrazh. Ndërsa në shkurt të vitit 2022 Gjykata e Tiranës dënoi me 17 vite burg sipërmarresin italian Francesco Bechetti./ZËRI

MOS HUMB