TIRANË- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka nisur përgatitjet për zgjedhjet vendore të 2027-ës. KQZ u është drejtuar zyrtarisht Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Prokurorisë së Përgjithshme dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe kërkon nga secili institucion caktimin e personave të kontaktit për koordinimin ndërinstitucional gjatë procesit zgjedhor.
Në shkresën drejtuar 3 institucioneve theksohet se qëllimi i kësaj nisme është formalizimi i bashkëpunimit për parandalimin, evidentimin dhe trajtimin e veprave penale që lidhen me procesin zgjedhor.
Institucioneve u është lënë afat deri më 23 nëntor 2026 për të përcaktuar personat përgjegjës që do të koordinojnë komunikimin me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Ndërkohë që nga ana e KQZ-së, si person përgjegjës për këtë proces është caktuar Sekretari i Përgjithshëm, Edmond Ahmeti.
Kjo nismë vjen në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet vendore 2027, me synimin për të forcuar bashkëpunimin mes institucioneve, shkëmbimin e informacionit dhe trajtimin ee rasteve të dyshuara të kriminalitetit zgjedhor./ZËRI