TIRANË-Policia ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me hetimin pasuror ndaj Ilir Shehut alias Pasholli, 51 vjeç, i dënuar më parë për trafik droge në Itali dhe nën hetim në Shqipëri për kontrabandë ilaçesh. Blutë njoftojnë se vlera e 29 pasurive të sekuestruara të Ilir Shehut arrin mbi 10 milionë euro.
Sipas Policisë, në zbatim të vendimit të Gjykatës së Tiranës, janë sekuestruar pasuri në emër të tij, të bashkëshortes dhe subjekteve të lidhura me ta. Konkretisht, janë sekuestruar 14 pasuri të paluajtshme, 6 pasuri të paluajtshme në emër të bashkëshortes së tij, 6 subjekte tregtare, mes tyre biznese që operojnë në sektorin farmaceutik, si dhe 8 automjete. Vlera totale e pasurive të sekuestruara kapërcen 10 milionë euro.
Mes 6 subjekteve të sekuestruara janë kompanitë ‘Medicamenta’, ‘Mega Store’, ‘Unipharma’ dhe ‘Italialbania Pharma’.
Sipas Prokurorisë, autoritetet italiane e kanë identifikuar Shehun si pjesë të një skeme të sofistikuar kontrabande me produkte farmaceutike. Nga hetimet ka rezultuar se ai kryente blerje të ilaçeve në Itali me faturë zyrtare, ku regjistronte mbi 10 artikuj të ndryshëm farmaceutikë.
Në momentin e eksportit për në Shqipëri, dokumentacioni kalon doganën italiane me vlerë dhe peshë reale. Në doganën shqiptare ndodhte manipulim pasi ruhej vlera dhe pesha por shkurtohej lista e artikujve, duke deklaruar vetëm 4 ose 5 produkte, ndërsa pjesa tjetër futej në tregun shqiptar pa dokumentacion të rregullt. Një pjesë e këtyre barnave, sipas prokurorisë, legalizohen nëpërmjet një operatori tjetër, me qëllim të fshihen gjurmët e origjinës së kontrabandës.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet operacioni i koduar “DARK CAPITAL”.
Sekuestrohen pasuri me vlerë mbi 10 milionë euro, në kuadër të një hetimi pasuror ndaj një shtetasi të dyshuar për veprimtari të ndryshme kriminale.
Operacioni, nga Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës.
Në kuadër të këtij operacioni u ekzekutua vendimi i Gjykatës së Tiranës, për sekuestrimin e pasurive të shtetasit I. Sh. alias I. P., 51 vjeç, dhe të personave/subjekteve të lidhura me të, me vlerë mbi 10 milionë euro, konkretisht:
-14 pasuri të paluajtshme;
-6 pasuri të paluajtshme në emër të bashkëshortës së tij, shtetases H. Sh.;
-6 subjekte tregtare, përfshirë biznese që ushtrojnë aktivitet në sektorin farmaceutik;
-8 automjete.
Pasuritë e sekuestruara do të kalojnë në administrimin e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK).
Nga hetimet e kryera dyshohet se shtetasi I. Sh. alias I. P është përfshirë ndër vite në veprimtari të ndryshme kriminale, si trafikimi i narkotikëve, shfrytëzimi i prostitucionit, rrëmbimi dhe heqja e paligjshme të lirisë, përfitimi i mallrave të vjedhura, etj.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.