TIRANË-Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjete sociale pamje nga një takim i zhvilluar në Kryeministri me sipërmarrjes japonezë. Në fokus të takimit ka qenë mundësia e përfshirjes së Japonisë në projektin strategjik të hekurudhës Durrës–Prishtinë. Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë deklaron se për këtë projekt ka diskutuar disa herë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti duke vlerësuar se përfshirja e Japonisë do të ishte e rëndësishme për realizimin e tij.
Rama ka shprehur gatishmërinë e Shqipërisë dhe Kosovës për të bashkëpunuar me Japoninë ose me partnerë të tjerë japonezë, me qëllim që të shqyrtohet mundësia e realizimit të projektit.
"Së bashku me Kryeministrin e Kosovës kemi biseduar më shumë se një herë se sa mirë do të ishte ta përfshinim Japoninë në projektin e hekurudhës së re nga Durrësi në Prishtinë, e cila më pas kalon nëpër Nish dhe lidhet me Europën Qendrore. Kjo hekurudhë ka gjithashtu rëndësi shumë, shumë të madhe për NATO-n për shkak të Portit të ri në Durrës, i cili do të ketë edhe një degë të dedikuar 100% për veprimtaritë ushtarake dhe ato të NATO-s. Ky mund të jetë një investim shumë interesant. Nëse e shqyrtoni projektin, do të na vinte shumë mirë të dëgjonim mendimin tuaj. Së bashku me Qeverinë e Kosovës, jemi gati të punojmë me ju ose me cilindo partner nga Japonia për të parë nëse mund ta realizojmë këtë projekt"-tha Rama.
Linja e re hekurudhore do të kalojë nga Durrësi përmes Shkodrës, Gjakovës dhe përfundon në Prishtinë. Vlerësimet financiare variojnë nga 700 milionë euro në fazat e para deri në 1.8 miliardë euro sipas llogaritjeve të detajuara të kostove të ndërtimit. Projketi përfshin afërsisht 43 ura, 14 tunele dhe 7 stacione të reja, me shpejtësi të parashikuar trenash nga 120 deri në 150 km/h.