TIRANË- Kryedemokrati Sali Berisha ka kritikuar ashpër projekt-buxhetin e vitit 2027 dhe paketën e re fiskale të qeverisë, duke u shprehur se, sipas tij, ajo është përgatitur në fshehtësi nga qeveria.
Në një konferencë për mediat gjatë një mbledhjeje me Grupin Parlamentar demokrat, Berisha e konsideron siç ai e quan 'buxhet i një narkoshteti'. Sipas Berishës, është një buxhet që shkel parimet kushtetuese të vendit dhe që injoron qytetarët e biznesmenët.
“Ky buxhet paraqitet në Kuvend në mënyrën më tipike si buxhet i një narkoshteti. Ky buxhet, në kundërshtim me përcaktimet e qarta ligjore, ka shkelur çdo lloj afati të parashikuar për konsultime publike. Është përgatitur në fshehtësinë më të madhe sikur të ishte dokumenti më sekret i shtetit, jo dokumenti me implikacione direkte, implikacione të mëdha në xhepat e të gjithë qytetarëve shqiptarë. Pra injorim total i qytetarëve, injorim total i biznesmenëve dhe vendosje e një pakete nga e cila përfiton një grusht njerëzish dhe ndëshkohen në një mënyrë apo në një tjetër qytetarët shqiptarë dhe bizneset shqiptare”, tha mes të tjerash Berisha./ZËRI