
TIRANË- Gjykata e Posaçme ka vendosur të mos shtyjë seancën gjyqësore ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, duke refuzuar kështu kërkesën e tij.
Gjykata ka vendosur vijimin e procesit pa praninë e kryebashkiakut. Vendimi erdhi pas shqyrtimit të kërkesës së Veliajt, i cili kërkoi shtyrjen e seancës pasi nuk mund të merrte pjesë për shkak të gjendjes shëndetësore. Në letrën drejtuar gjykatës, Veliaj pretendon se nuk i është siguruar dokumentacioni që ka kërkuar prej 10 ditësh.
Trupi gjykues vlerësoi se pretendimi i të pandehurit për gjendjen shëndetësore mbetet i paprovuar dhe vendosi vijimin e seancës.
“Për shkak të gjendjes shëndetësore për të cilën më është rekomanduar ndërhyrje kirurgjikale, kam 10 ditë që kërkoj dokumentacionin mjekësor, por s’më është dhënë asnjë shpjegim. Kjo situatë më pengon të marr pjesë në gjykim dhe kërkoj që seanca gjyqësore të shtyhet”, shkruan Veliaj.
Ndërkohë, gjatë seancës, prokurori Altin Dumani deklaroi se Prokuroria nuk disponon dokumentacion mjekësor që të pasqyrojë gjendjen shëndetësore të kryebashkiakut.
“Ne nuk kemi asnjë relacion mjekësor nga mjeku i burgut të na përshkruajë gjendjen shëndetësore të Veliajt. Nuk kemi asnjë dokument konkret mbi gjendjen e tij që të ishim të qartë”.
Por, argumenti i prokurorit është kundërshtuar nga avokati Plarent Ndreca. Sipas Ndrecës, Prokuroria është e informuar për gjendjen shëndetësore të Veliajt, teksa shton se klientit të tij nuk po nuk i vihet në dispozicion kartela mjekësore.
“Prokuroria është e informuar mbi gjendjen shëndetësore të Veliajt. Këtë thotë edhe i pandehuri, kërkon info mbi situatën reale të këmbës dhe grafinë për ta konsultuar me mjek. Nuk i jepet kartela mjekësore. Veliaj e ka shprehur vullnetin për të marrë pjesë në seancë”.
Po ashtu, edhe prokurori Ols Dado ka deklaruar se sipas informacionit që disponon institucioni, Veliaj nuk ka pasur një gjendje shëndetësore emergjente, ndonëse është ngritur pretendimi se ai ka nevojë për ndërhyrje kirurgjikale.
“Në dijeni të SPAK, i pandehuri nuk ka pasur gjendje emergjente shëndetësore. Thuhet që ka nevojë për ndërhyrje. Në dijeninë time, e di që ka pasur komunikime me email nga mbrojtja e Veliajt. Drejtoria e Burgjeve ka arsyet e saj dhe po e ndjek në mënyrë strikte rregulloren. Gjendja nuk është emergjente”, u shpreh Dado, i cili ka shtuar gjithashtu se Veliaj ka kërkuar leje për të marrë pjesë fizikisht në aktivitete të tjera dhe se, sipas tij, gjendja e këmbës nuk e ka penguar në këto raste.
Mirëpo lidhur me këtë, avokati Ndreca sqaroi se kërkesat e mëparshme për pjesëmarrje fizike ose përmes videokonferencës ishin paraqitur përpara se të lindte situata aktuale shëndetësore./ZËRI