
TIRANË- Kevin Margjoni alias Arjan Margjoni është ekstraduar nga Spanja drejt Shqipërisë. Bëhet fjalë për 49-vjeçarin, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për përfshirje në trafikun e 485 kilogramëve kokainë, të zbuluara në vitin 2022 në fshatin Frakull e Madhe të Fierit.
Sipas njoftimit të Policisë, Margjoni akuzohet se ka qenë një ndër financuesit dhe negociatori i trafikimit të kokainws së sekuestruar. GJKKO ka kërkuat ndaj yij masën "arrest me burg" për trafikim të lëndëve narkotike dhe grup të strukturuar kriminal.
Njoftimi i Policisë:
Policia e Shtetit/Vijon operacioni ndërkombëtar i koduar “The Wanted”.
Ekstradohet nga Spanja bashkëfinancuesi dhe negociatori i trafikimit të 485 kg kokainë, të sekuestruara në vitin 2022, në fshatin Frakull e Madhe, Fier.
Si rezultat i koordinimit operacional ndërmjet specialistëve të Drejtorisë së Interpolit dhe homologëve të Interpol Madridit, gjatë kësaj faze të operacionit të koduar “The Wanted”, u finalizua procedura për ekstradimin nga Spanja në Shqipëri të shtetasit të kërkuar ndërkombëtarisht, K. M., alias A. M., 49 vjeç.
Në muajin mars 2026, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar i ka caktuar këtij shtetasi masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal” dhe “Grupi i strukturuar kriminal”.
49-vjeçari akuzohet se, në kuadër të grupit kriminal ku bënte pjesë, ka qenë një ndër financuesit dhe negociatorët për trafikimin e 485 kg lëndë narkotike kokainë, e cila u gjet nga shërbimet e Policisë, e fshehur në thasë me pleh kimik, në vitin 2022, në fshatin Frakull e Madhe, Fier.