Aktualitet

Alarm për konsumatorët shqiptarë! Mbi 400 mijë tonë drithëra e grurë hyjnë çdo vit, por pa kontroll? KLSH: S'ka pajisje

Problematikat janë evidentuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në një auditim që mbulon vitet 2020–2025.

zh.ll

Alarm për konsumatorët shqiptarë! Mbi 400 mijë tonë

TIRANË- Mbi 427 mijë tonë drithëra hyjnë çdo vit në Shqipëri, por siguria e tyre mbetet në pikëpyetje, pasi rezulton se nuk garantohet nga një sistem kontrolli i pajisur dhe funksional. Problematikat janë evidentuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në një auditim që mbulon vitet 2020–2025.

"Kategoritë kryesore të drithërave që hyjnë në vendin tonë janë: mielli, gruri për njerëz, gruri për kafshë, misri për njerëz, misri për kafshe, elbi, thekra dhe drithëra të tjerë. Për periudhën objekt auditimi 2020 – 2025 në Pikat e Inspektimit Kufitar janë lejuar të futen mesatarisht 7591 ngarkesa me drithëra të ndryshme, ose rreth 427,422 ton mesatarisht", thuhet në raport. 

Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) ka konstatuar se kontrolli i cilësisë së produkteve ka probleme që nga marrja e mostrave deri te analizimi i tyre në laborator.

Sipas KLSH, probolematike nis që në pikat kufitare, ku inspeltorët përballen me mungesë mjetesh për të kryer verifikimet e nevojshme, marrja e mostrave jashtë standardeve, ruajtja e tyre jashtë përmbushjesë së kërkesave ligjore të BE-së.

"Nga auditimi i ushtruar në Pikat e Inspektimit Kufitar në vendin tonë71 rezultoi se inspektorët kufitarë nuk disponojnë logjistikën, pajisjet dhe mjetet teknike të nevojshme për realizimin korrekt, efektiv dhe të standardizuar të kontrollit fizik të drithërave dhe miellit, në kundërshtim me kërkesat e legjislacionit kombëtar dhe standardet e Bashkimit Evropian mbi kontrollin zyrtar të ushqimit, sigurinë ushqimore dhe organizimin e Pikave të Inspektimit Kufitar", evidenton raporti i KLSH.

Disa prej problematikave të evidentuara:

1.Mungesë pajisjesh dhe logjistike për kontrollin fizik të drithërave, matjen e lagështisë dhe temperaturës, si dhe ekzaminimin e ngarkesave.

2.Një tjetër problematikë serioze lidhet me mungesën e mjeteve të përshtatshme për administrimin, ruajtjen dhe transportin korrekt të mostrave laboratorike.

3.Auditimi evidentoi gjithashtu mungesë të pajisjeve për kontrollin higjieno - sanitar të mjeteve të transportit dhe ambienteve ku administrohen produktet.

4.Auditimi evidentoi gjithashtu mungesë të pajisjeve për hapjen, shkarkimin dhe ekzaminimin
korrekt të ngarkesave me shumicë.

"Sistemi i kontrollit zyrtar duhet të garantojë mbrojtjen e shëndetit të konsumatorit dhe të mbështetet në analiza të plota të riskut.85 Në rastin e drithërave dhe miellit, mjeti i transportit përbën pjesë integrale të zinxhirit të sigurisë ushqimore, pasi kushtet e transportit mund të ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e produktit, në nivelin e lagështisë, në praninë e dëmtuesve biologjikë, në ndotjen me substanca të huaja apo në kontaminimin e produktit nga ngarkesa të mëparshme të transportuara me të njëjtin mjet", theksohet në raport. 

Në përfundim, KLSH kërkon ndërhyrjen e AKU-së dhe nënvizon disa rekomandime për të përmirësuar kontrollet në pikat kufitare:

-Autoriteti Kombëtar i Ushqimit të ndërmarrë masa për krijimin e një sistemi elektronik për administrimin e procedurave të kontrollit kufitar.

-Autoriteti Kombëtar i Ushqimit të krijojë një databazë të unifikuar kombëtare që të mbështesë analizën e riskut dhe planifikimin e kontrolleve në përputhje me kërkesat e legjislacionit kombëtar dhe të Bashkimit Evropian.

-Autoriteti Kombëtar i Ushqimit të vlerësojë, zgjerojë dhe standardizojë regjistrin elektronik ekzistues, në mënyrë që ai të përfshijë të gjitha mospërputhjet dokumentare të evidentuara në Pikat e Inspektimit Kufituar.

-Autoriteti Kombëtar i Ushqimit të pajisë Pikat e Inspektimit Kufitar me instrumente për matjen e lagështisë, temperaturës dhe parametrave të tjerë fizikë që lidhen me sigurinë dhe cilësinë e drithërave dhe miellit. 

Raporti ngre shqetësimin se konsumatori shqiptar mund të ekspozohet ndaj rreziqeve për sigurinë ushqimore, si pasojë e mangësive në kontrollet kufitare. Ndërsa, sipas raportit, bëhet fjalë për rreziqe që në fakt, mund të parandalohen përmes pajisjeve dhe procedurave të duhuara. /ZËRI 
 
 

MOS HUMB