LEZHË- Reshjet e dendura të shiut kanë sjellë grumbullim uji në disa zona të Lezhës mbrëmjen e sotme. Edhe pse shiu zgjati vetëm pak minuta, intensiteti i lartë i tij shkaktoi vështirësi në disa prej akseve të qytetit.
Problematika u shfaq pranë Drejtorisë së Tatimeve, në zonën e çerdhes dhe në rrugën e Shëngjinit. Ndërkohë blloku i 11 Janarit dhe bulevardi 'Gjergj Fishta' nuk u prekën nga përmbytjet, ndryshe nga episodet e mëparshme me reshje intensive.
Pas pushimit të shiut uji u tërhoq në një kohë të shkurtër përmes rrjetit të kanalizimeve ku së fundmi janë kryer punime për sistemin e ujërave të bardha dhe të zeza.
Brenda pak minutash situata u normalizua dhe qarkullimi në qytet vijoi pa probleme të tjera./ZËRI