FIER- Detaje të reja kanë dalë në dritë nga aksioni i zhvilluar sot në Spitalin Rajonal të Fierit, ku u raportua ndalimi i drejtorit të këtij institucioni, Arben Voja.
Sipas të dhënave të bëra publike, aksioni lidhet me një hetim për tjetërsimin e rreth 44 mijë metrave katrorë tokë në zonën e Povelçës, gjatë periudhës kur Voja drejtonte Kadastrën e Fierit. Sipërfaqja në fjalë, dyshohet se është kaluar nga pronë shtetërore në pronë private dhe më pas u është shitur investitorëve të një projekti fotovoltaik.
Për këtë çështje raportohet se janë lëshuar katër urdhër-arreste, mes tyre edhe për Arben Vojën, ish-kreu i Kadastrës së Fierit dhe drejtori aktual i Spitalit Rajonal të Fierit.
Po ashtu, përveç Vojës, urdhër-arrest është lëshuar edhe për Dilaver Shytit, ish-kreu i Njësisë Administrative Dërmenas, si dhe punonjësja e Kadastrës Fjorelo Bida dhe noterja Anila Haxhiu.
Arben Voja përballet me akuzat për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh. Por, kjo nuk është hera e parë që Arben Voja përballet me akuza për periudhën kur drejtonte institucione publike.
Në vitin 2023, Voja u kallëzua në SPAK për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh, pas konstatimit të 36 rasteve të dyshuara të mosllogaritjes së tatimit 15 për qind. Sipas kallëzimit, pretendohej një dë, prej 9.5 milionë lekësh. Ndërsa në dhjetor 2025, Prokuroria e Fierit e dërgoi për gjykim, së bashku me gjashtë punonjës të tjerë, për dyshime mbi shkelje në dhënien e lejeve mjedisore, gjatë kohës kur drejtonte Agjencinë Rajonale të Mjedisit Fier-Vlorë-Gjirokastër./ZËRI