Aktualitet

Një muaj nga ekzekutimi i shqiptarit në Bruksel, hetuesit: Autorët vranë edhe policin që iu vu pas...

Kur efektivi El Talbi iu afrua në këmbë për të kontrolluar situatën, personat brenda makinës hapën zjarr ndaj tij.

F.I
Një muaj nga ekzekutimi i shqiptarit në Bruksel, hetuesit:
polici i ekzekutuar Nordine El Talbi

BRUKSEL-Një muaj nga ngjarja që tronditi Brukselin, ku një shqiptar u ekzekutua pranë Parlamentit Europian dhe disa orë më vonë një polic u vra në komunën Jette të Brukselit, hetuesit janë të bindur se të dyja atentatet janë kryer nga të njëjtët persona.

Të shtënat e para ndodhën të hënën, më 12 tetor, në orën 17:50, në rrugën Wiertz, në Ixelles, pranë Parlamentit Evropian. Autorët qëlluan një burrë në gjoks, në hollin e një pallati.  Shqiptari ndërroi jetë në vendngjarje, pavarësisht ndërhyrjes së shërbimeve të emergjencës. Mediat vendase raportojnë se shqiptari identiteti i të cilir ende nuk bëhet i ditur, nuk kishte precedentë penalë në Belgjikë, por, sipas disa burimeve, dyshimet janë për një larje hesapesh në botën e trafikut të drogës. Ngjarja paraqet të gjitha karakteristikat e një vrasjeje me pagesë.

Disa orë pas ngjarjes në Ixelles, efektivi Nordine El Talbi dhe kolegët e tij të njësisë kundër grabitjeve të policisë së Brukselit po kërkonin një automjet Volkswagen T-Cross. Autorët e kishin vjedhur makinën dhe rreth mesnatës, policët e panë automjetin të parkuar përgjatë bulevardit Carton de Wiart, në Jette. Kur El Talbi iu afrua në këmbë për të kontrolluar situatën, personat brenda makinës hapën zjarr ndaj tij. Një plumb e goditi në kokë, duke i shkaktuar vdekjen.

Sipas prokurorit të Brukselit, Julien Moinil, në automjet ndodheshin pesë persona dhe njëri prej tyre qëlloi plumbin fatal. Autorët lanë në trotuar, pranë makinës, tre armë zjarri dhe u larguan në këmbë. Autorët e dyshuar të të dyja vrasjeve u larguan jashtë Belgjikës pas ngjarjeve. Më pak se një javë më vonë, policia arrestoi tre prej tyre në Almería të Spanjës, ndërsa dyshohet se po udhëtonin drejt Marokut. Një i katërt u arrestua në një stacion treni në Paris.

Të gjithë të dyshuarit janë banorë të Brukselit dhe janë anëtarë të njohur të botës së drogës. Për më tepër, sipas zyrës së prokurorit publik, hetuesit gjetën një sasi të konsiderueshme droge në automjetin e vjedhur. Ende ka shumë pasiguri në lidhje me renditjen e saktë të ngjarjeve dhe motivin. Megjithatë, është vërtetuar se autorët e krimit fillimisht vranë burrin shqiptar, pastaj grabitën automjetin në Tubeke dhe në fund vranë oficerin El Talbi. Hetime të mëtejshme duhet të përcaktojnë saktësisht se si lidhen të gjitha këto fakte.

MOS HUMB