Aktualitet

Hetimi për mbetjet toksike, Ministria i heq lejen mjedisore kompanisë ‘Kurum’ pas 10 vitesh

Vendimi prek aktivitetet që lidhen me prodhimin e gizës dhe çelikut, shkrirjen e metaleve, përpunimin e metaleve ferroze, fonderinë, prodhimin e gëlqeres, si dhe përpunimin dhe saldimin e metaleve.

F.I
Hetimi për mbetjet toksike, Ministria i heq lejen mjedisore kompanisë
Kurum

TIRANË-Kompanisë ‘Kurum’, një nga operatorët më të mëdhenj të industrisë metalurgjike në Shqipëri, i është hequr leja mjedisore pas 10 vitesh. Mësohet se vendimi nga ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj i cili më 3 nëntor 2026 ka firmosur urdhrin për shfuqizimin e lejes mjedisore të tipit  A, me numër PN-3843-09-2016. Leja mjedisore për kompaninë në fjalë është lëshuar që prej shtatorit të vitit 2016.

Vendimi prek aktivitetet që lidhen me prodhimin e gizës dhe çelikut, shkrirjen e metaleve, përpunimin e metaleve ferroze, fonderinë, prodhimin e gëlqeres, si dhe përpunimin dhe saldimin e metaleve. Në urdhrin e ministrit thuhet se shfuqizohet leja mjedisore e subjektit KURUM INTERNATIONAL për veprimtarinë në Kombinatin metalurgjik, në Njësinë Administrative Bradashesh, Bashkia Elbasan. 

“Udhëroj: 1. Shfuqizimin e lejes së mjedisit me nr. PN-3843-09-2016, të subjektit “KURUM INTERNATIONAL”, me veprimtari “Leje mjedisore për: Prodhimi i gizës ose çelikut (shkrirje primare dhe sekondare), duke përfshirë derdhjen e vazhdueshme; 2.3 a Përpunimi i metaleve ferroze me mullinj me rula në të nxehtë; 2.4 Fonderitë e metaleve ferroze; 1.7 Gaz natyror aromatik ose GNL, përveç rasteve kur veprimtaria është e lidhur me Tipin A, ose përzierje e aromave; 3.1 b Prodhimi i gëlqeres në furra rrotulluese; 7.12 k Përpunimi dhe saldimi i metaleve”, me vend kryerjeje të veprimtarisë: “Kombinati metalurgjik, Njësia Administrative Bradashesh, Bashkia Elbasan, Qarku Elbasan” – thuhet në urdhërin e Ministrit.

Shfuqizimi i lejes mjedisore vjen ndërsa KURUM International është përfshirë edhe në hetimin për mbetjet industriale toksike të nisura nga Durrësi drejt Tajlandës dhe të kthyera në Shqipëri në tetor 2024.  Mbetjet u nisën nga impianti 'Kurum' pranë metalurgjikut në Elbasan. Mbetjet toksike, më pas, i ka shitur tek kompania 'Sokolaj'. Më pas, 'Sokolaj' ia ka shitur këtë sasi simotrës së saj në Kroaci, GS Minerals D.o.o për 141 mijë dollarë, ndërsa kontejnerët janë nisur nga porti i Durrësit me destinacion fundor Tajlandën më 4 korrik 2024.

Udhëtimi i kontejnerëve të dyshuar ka vënë alarmin në shumë vende që kur u ngarkuan në portin shqiptar të Durrësit në korrik. Tajlanda refuzoi të pranonte dërgesën pasi u njoftua për përmbajtjen e saj të rrezikshme nga grupet mjedisore. Pluhuri i furrës, i cili kërkon trajtim, është një produkt mbetjesh i rrezikshëm që zakonisht vjen nga riciklimi i skrapit të çelikut dhe përmban okside metalike toksike si kadmiumi dhe kromi që janë të dëmshëm për shëndetin dhe mjedisin. Ndërkohë çështja është në hetim nga Prokuroria e Durrësit, që po verifikon dokumentacionin e plotë dhe autorët e shkeljes së rëndë.

MOS HUMB