TIRANË- SPAK ka paraqitur prova të reja në procesin gjyqësor për rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Prengës. GJKKO ka vendosur të pranojë provat e reja nga SPAK, të cilat përfshijnë biseda nga aplikacioni Sky ECC, komunikime mes Dritan Rexhepit, Gentian Funiqit, Altin Hajrit dhe Geraldo Martinit. Sipas SPAK, bisedat datojnë që prej vitit 2020 dhe përmbajnë diskutime për organizimin e rrëmbimit të Jan Prengës. Sipas organit të akuzës, mësohet se në komunikime është folur edhe për mundësinë e rrëmbimit të babait të Ndrek Prengës, por kanë rrëmbyer Jan Prengën. Gentian Funiqi ka komunikuar që çështja të hiqej nga SPAK dhe të ndiqej nga një prokurori e zakonshme. Një prej bisedave të korrikut 2020, përmban mesazhin: “Të japim noj lek ta heqim nga SPAK-u. Mësoje Festimin të thotë kam qenë i stresuar dhe kam folur nga frika”. Sipas SPAK, komunikimi tregon se të pandehurit diskutonin se si duhej të dëshmonte Bexhdili. Ndërsa në një bisedë të datës 30 janar 2021, Dritan Rexhepi shkruan: “Paskan dalë ata çunat që zunë për pengun, kanë mbajtur brenda vetëm atë që kishte fol pak”.
/ZËRI