TIRANË- Është mbajtur sot në GJKKO seanca e radhës për ish-ministrin Ilir Beqaj, për dosjen e koncesionit të sterilizimit. Gjykata e Posaçme rrëzoi 22 kërkesa në total, mes tyre kërkesën për të pushuar çështjen që po gjykohet për koncensionin e sterilizimit, dhe shpalljen e akteve hetimore të pavlefshme.
Mësohet se seanca e radhës është caktuar të mbahet më 2 dhjetor, me qëllim që mbrojtja të ketë kohë të njihet me vendimin e ndërmjetëm të gjykatës dhe të vlerësojë nëse do të paraqesë kërkesa të tjera.
Ndërkohë, pas daljes nga gjykata, Beqaj është shprehur se vetë gjykata kishte konstatuar mosrespektimin e procedurës për rifillimin e procesit pas një vendimi pushimi
"Vendimet e gjykatave nuk komentohen, megjithatë nga 22 kërkesat që ne kishim paraqitur, unë dhe avokatët e mi, gjykata e ndau vendimmarrjen e saj në 3 grupe. Për një pjesë tha që nuk më takon mua të shprehem në këtë moment, për një pjesë tha që i përkasin gjykimit të themelit, ndërsa një pjesë të tretë e rrëzoi. Ajo që unë konstatova të saktë është që procedura penale në Shqipëri krijohet çdo ditë, çdo seancë që ndodh këtu. Praktikisht procedura penale ka shumë detyrime për prokurorët por ka harruar me ose pa dashje të shprehet për pasojat nëse prokurorët nuk e zbatojnë. Në këto kushte gjykata konstaton po, nuk e ka zbatuar procedurën penale për rifillimin e procesit kur ka pasur një vendim pushimi, nuk e ka zbatuar për t’u marrë në pyetje në kohë, nuk e ka zbatuar për të marrë provat tona, por thotë meqenëse nuk ka pasojë për mosveprimin e tyre, do të vazhdojmë këtu ndërkohë që të drejtat procedurale të çdokujt që është i akuzuar ngelin jetim", tha Beqaj.
Ish-ministri fitoi më 31 korrik të këtij viti, pasi GJKKO vendosi ndaj tij masën e sigurisë “arrest në shtëpi”. Beqaj mbahej në burg që prej 4 korrikut të 2024 për abuzimin me fondet e Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC). Por po ashtu, po hetohet edhe lidhur me dy koncensionet në Shëndetësi, Sterilizminin dhe Chech-up. Ai u mor zyrtarisht i pandehur nga SPAK për koncesionin 100 milionë euro të sterilizimit./ZËRI