TIRANË- Prokuroria e Tiranës ka kërkuar 20 vite burg për Filip Shehun i akuzuar për vrasjen me thikë të kolegut të tij Indrit Islamllari në një piceri në Tiranë më 28 tetor 2025.
Sipas dosjes hetimore mes dy punonjësve kishte pasur prej kohësh konflikte dhe përplasje verbale pasi viktima dyshohet se e fyente dhe e ofendonte vazhdimisht Shehun.
Ditën e ngjarjes debati nisi për një porosi në kuzhinë, pasi Islamllari kundërshtoi që një punonjëseje t'i jepej proshutë krudo. Situata u përshkallëzua pas një tjetër shkëmbimi fyerjesh, ku Shehu mori një thikë nga banaku i picerisë dhe e goditi kolegun tri herë në gjoks dhe bark, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Pas krimit Shehu nuk u largua nga lokali, por priti mbërritjen e policisë. Në dëshminë e tij ai ka shprehur pendesë për veprimin, duke pretenduar se kishte qenë për një kohë të gjatë objekt i fyerjeve nga viktima.
Në dosje thuhet gjithashtu se Shehu kurohej për gjendje depresive dhe që prej prillit 2025 merrte medikamente antidepresive dhe preparate për përmirësimin e memories.
Në përfundim të gjykimit prokurori Gëzim Veizi ka kërkuar 20 vite burg për veprën penale të 'Vrasjes me dashje'. Për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi do të reduktohet me një të tretën.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth një vit më parë, në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë ku Filip Shehu goditi për vdekje me thikë kolegun e tij, Indrit Islamllari, pas një konflikti mes tyre në ambientet e picerisë ku punonin të dy. Shehu u arrestua menjëherë pas ngjarjes dhe gjatë dëshmisë pranoi autorësinë, duke shprehur pendesë për krimin./ZËRI
