TIRANË- Gjykata e Posaçme ka vendosur të nxjerrë nga burgu Merxhan Çelikun. Ditën e djeshme, gjykata endosi të ndryshojë masën e sigurisë për 32-vjeçarin e akuzuar si pjesë e një grupi kriminal që dyshohet se zhvati 50 milionë euro përmes mashtrimit me call center.
Vendimi është marrë ditën e djeshme nga gjyqtari Erjon Çela, i cili ka pranuar kërkesën për zëvendësimin e masës së sigurisë, të paraqitur nga Çeliku më 2 nëntor.
Mësohet se, në vendimin e saj, GJKKO ka përcaktuar se 32-vjeçari duhet të qëndrojë në banesë dhe nuk lejohet të largohet prej saj. Gjykata ka urdhëruar lirimin e tij të menjëhershëm nga paraburgimi, me kusht që të mos mbahet në burg për ndonjë masë tjetër sigurie apo vendim dënimi.
32-vjeçari Merxhan Çeliku u arrestua në mars të vitit 2024, pasi kishte qenë për rreth 2 vite në kërkim nga autoritetet. Ai dyshohet se ishte pjesë e një grupi kriminal që ushtronte aktivitetin e mashtrimit përmes call center-ave, duke u zhvatur mijëra euro qytetarëve evropianë./ZËRI