DURRËS- Këtë të martë është mbajtur seanca ndaj 57-vjeçarit Nikoll Radaçi, i cili shkaktoi aksidentin tragjik ku humbën jetën dy fëmijë dhe një tjetër mbeti i plagosur. Në seancën që u zhvillua me dyer të mbullura dhe që zgjati pak minuta, mësohet se avokati i të pandehurit kërkoi gjykim të shkurtuar. Për këtë kërkesë, vendimi pritet të merret në seancën e ardhshme.
Megjithatë, ajo që bie në sy dhe që ka shkaktuar reagim është fakti se Radaçi nuk do të gjykohet për të gjitha akuzat që rëndonin ndaj tij gjatë hetimeve. Gjatë hetimeve, ndaj Radaçit rëndonin tri akuza, por situata ka ndryshuar me amnistinë e miratuar në pranverën e këtij viti.
Si pasojë e përfitimit nga amnistia penale, janë shuar dy akuza: drejtimi i automjetit nën efektin e alkoolit dhe largimi nga vendi i aksidentit. Avokati i tij, Aleksandër Ndrejaj, ka deklaruar se testi i kryer pas aksidentit kishte evidentuar një sasi të vogël alkooli në organizmin e drejtuesit të automjetit: “Nga testi që atij iu bë pas aksidentit, rezultoi se ai kishte konsumuar një sasi të pakët alkooli”.
Ndërkaq, prokurorja Anila Bebeçi e ka dërguar atë për gjykim vetëm për veprën penale të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor me pasojë vdekjen.
Ndërkohë, i pranishëm në seancë, babai i fëmijës që mbeti i plagosur ka kundërshtuar lehtësimin e akuzës ndaj Radaçit, duke e cilësuar atë si padrejtësi.
Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e 3 majit të këtij viti, në lagjen nr. 15 të Durrësit, ku tre fëmijë po luanin me top në trotuar, kur automjeti i drejtuar nga 57-vjeçari, Nikoll Radaçi i ka përplasur ndërsa po lëvizte me shpejtësi të lartë. Si pasojë e aksidentit, dy fëmijë të moshave 12 dhe 10 vjeç humbën jetën, ndërsa një tjetër 8-vjeçar mbeti i plagosur rëndë, por arriti të mbijetojë dhe e ka kaluar rrezikun për jetën./ZËRI