ABU DHABI-Në Abu Dhabi po zhvillohen negociatat për arritjen e paqes, Rusi-Ukrainë. Zyrtarët amerikanë kanë deklaruar se do të përpiqen të arrijnë një “fund përfundimtar” të luftës midis Rusisë dhe Ukrainës. Zyrtarët evropianë janë të shqetësuar se Rusia mund t’i përmbahet kërkesave të saj të ashpra që NATO të zvogëlojë praninë e saj ushtarake në të gjithë Evropën Lindore, gjë që do të kërcënonte t’i linte aleatët të prekshëm ndaj ndikimit të Moskës në një kohë tensionesh historike me perëndimin.
Një zyrtar i administratës amerikane tha se SHBA-të do të “kishin nevojë për Evropën në tryezë” për t’i dhënë fund luftës. Ai tha se negociatorët mund të ringjallnin gjithashtu këshillin NATO-Rusi që u pezullua pas pushtimit të plotë të Rusisë në vitin 2022 dhe potencialisht të heqin sanksionet kundër Rusisë për të arritur një marrëveshje.
Zyrtarët amerikanë pohuan gjithashtu se kishin diskutuar me Rusinë garanci të mundshme sigurie për Ukrainën, të ngjashme me nenin 5 të NATO-s, i cili mbron shtetet anëtare në rast sulmi. Rusia ka kundërshtuar fuqimisht pranimin e Ukrainës nga NATO ose vendosjen e trupave të vendeve perëndimore në Ukrainë.
Delegacionet evropiane nga Gjermania, Franca, Mbretëria e Bashkuar, Italia dhe Bashkimi Evropian do të takohen me negociatorët amerikanë në Abu Dhabi për të diskutuar "arkitekturën afatgjatë të sigurisë midis Rusisë dhe Evropës, me qëllim që të përcaktohet se si të zvogëlohen konfliktet e ardhshme".
SHBA do të përfaqësohet nga Jared Kushner dhe i dërguari i saj për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff.
Ndërkohë, Moska po sjell zyrtarë të lartë ushtarakë dhe diplomatikë, përfshirë zëvendësministrin e Jashtëm, Sergei Ryabkov, i cili ndihmoi në hartimin e kërkesave të gjera të Rusisë ndaj NATO-s për çështjet e sigurisë, pak kohë përpara pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës në vitin 2022.
Përfshirja e tij ngre mundësinë që Kremlini synon t'i zgjerojë negociatat përtej çështjes së Ukrainës, duke përfshirë edhe arkitekturën më të gjerë të sigurisë në Evropë. Kjo vjen veçanërisht pasi presidenti amerikan Donald Trump wshtw shprehur se një marrëveshje përfundimtare mund të shtrihet përtej kufijve të Ukrainës.
Dita e parë e bisedimeve do të përqendrohet te garancitë e sigurisë për Ukrainën dhe riformësimi i mundshëm i arkitekturës së sigurisë në Evropë.
Ndërsa dita e dytë do t'i kushtohet çështjeve territoriale, përcaktimit të kufijve dhe vijave ndarëse, si dhe çështjeve të tjera që lidhen me negociatat.