
Debati për përdorimin e gjuhës shqipe në provimin e jurisprudencës në Maqedoninë e Veriut mbetet pa një zgjidhje përfundimtare. Kryeministri Hristijan Mickoski ka paraqitur një alternativë që lejon përdorimin e shqipes në testimin teorik, por jo gjatë pjesës praktike, një ndarje që nuk plotëson kërkesat e studentëve shqiptarë.
Sipas formulës së propozuar kandidatët do të mund të zgjedhin shqipen, turqishten ose anglishten për pjesën teorike, ndërsa ushtrimet praktike, ku përfshihen simulimet e proceseve civile dhe penaledo të kryhen në maqedonisht.
Por studentët kundërshtojnë vendosjen e këtij kufizimi. Përfaqësuesi i tyre Mevlan Ademi vlerëson se propozimi përbën një ndryshim nga qëndrimet e mëparshme të qeverisë, por thekson se nuk mund të konsiderohet zgjidhje përfundimtare. Kërkesa e tyre është që e gjithë procedura e provimit të mund të zhvillohet në gjuhën shqipe.
Edhe në nivel qeveritar nuk duket të ketë ende një formulë të unifikuar. Ministri i Drejtësisë Jeton Shasivari ka hedhur më herët idenë që 84% e testimit të zhvillohet në shqip, ndërsa zëvendëskryeministri i parë Bekim Sali ka deklaruar se po shqyrtohet një zgjidhje më e gjerë që do të përfshinte edhe provimet e tjera profesionale.
Një tjetër shqetësim për studentët është koha që mund të kërkohet për ndryshimin e procedurave pasi zbatimi i propozimeve mund të zgjasë më shumë se një vit. Ata kundërshtojnë edhe mundësinë e dërgimit të çështjes për shqyrtim në Komisionin e Venecias nga frika e shtyrjes së mëtejshme të vendimmarrjes.
Kërkesa për provimin e jurisprudencës në shqip është shtruar prej nëntorit 2024. Në mbështetje të saj, rreth 400 studentë të tri universiteteve shqiptare në Maqedoninë e Veriut kanë nënshkruar një peticion dhe kanë zhvilluar dy protesta. Pavarësisht propozimeve të paraqitura, përplasja mes kërkesës për përdorim të plotë të shqipes dhe variantit të ofruar nga qeveria mbetet e pazgjidhur./ZËRI