Bota

Kosova pa trena, punonjësit nisin grevën: Nuk ndalemi derisa të rriten pagat

Ndërprerja e shërbimit ka nisur në orën 08:00 dhe përfaqëson fazën e parë të grevës, e cila vjen pas një proteste paralajmëruese të zhvilluar rreth dy javë më parë.

M.K.

 

Kosova pa trena, punonjësit nisin grevën: Nuk ndalemi derisa
Stacioni i trenave në Fushë-Kosovë

KOSOVË- Qarkullimi hekurudhor në Kosovë është ndërprerë këtë të hënë pasi punonjësit e Ndërmarrjes Publike 'Infrakos' kanë nisur një grevë në të gjithë territorin e vendit. Shkak për protestën janë bërë kërkesat për rritjen e pagave dhe përmirësimin e kushteve të punës për të cilat sindikata thotë se nuk ka marrë ende një përgjigje konkrete nga institucionet.

Ndërprerja e shërbimit ka nisur në orën 08:00 dhe përfaqëson fazën e parë të grevës, e cila vjen pas një proteste paralajmëruese të zhvilluar rreth dy javë më parë. Sipas përfaqësuesve të sindikatës, pavarësisht sinjalit të dhënë përmes protestës, bordi, menaxhmenti dhe qeveria nuk kanë ndërmarrë hapa për plotësimin e kërkesave të punonjësve.

Kreu i sindikatës ka bërë të ditur se greva do të vijojë deri në marrjen e një vendimi zyrtar me shkrim nga bordi për kërkesat e parashtruara.

“Kjo është faza e parë e grevës, nuk kemi dëshiruar me bë me organizu, por kemi qenë të detyruar, sepse para dy javëve kemi mbajtur një protestë paralajmëruese për sensibilizimin e opinionit, bordit, menaxhmentit, qeverisë për kërkesat tona të drejta edhe ligjore. Të cilat deri më sot nuk e ka dhënë asnjë efekt, nuk e kanë dhënë asnjë shenjë që ata janë të gatshëm me lëviz diçka. Edhe kështu që sot kemi filluar grevën, edhe greva është në krejt territorin e Kosovës.” u shpreh ai.

Pakënaqësitë e punonjësve janë thelluar pas vendimit për rritjen e pagës minimale në 500 euro nga korriku i këtij viti. Sipas sindikatës, kjo rritje nuk është shoqëruar me një rishikim proporcional të pagave për kategoritë e tjera të punonjësve duke shtuar pakënaqësinë brenda ndërmarrjes.

Greva prek një sektor që edhe përpara kësaj ndërprerjeje operonte me shërbime të kufizuara për transportin e udhëtarëve. Aktualisht linja Prishtinë- Pejë dhe kthimi është e vetmja që ofron shërbim, me nga dy udhëtime në ditë në secilin drejtim.

Megjithatë të dhënat e Trainkosit tregojnë një interes në rritje për transportin hekurudhor. Gjatë vitit të kaluar mbi 88 mijë udhëtarë kanë përdorur trenat, rreth 20% më shumë krahasuar me vitin 2024.

Ndërprerja e qarkullimit vjen në një periudhë kur hekurudhat e Kosovës vijojnë të përballen me problematika infrastrukturore dhe vonesa në realizimin e projekteve të investimit. Një prej ndërhyrjeve kryesore është rehabilitimi i Linjës 10 që lidh Kosovën me Maqedoninë e Veriut në jug dhe Serbinë në veri duke synuar përmirësimin e transportit dhe lidhjeve hekurudhore rajonale.

Pavarësisht nisjes së punimeve disa vite më parë projekti ende nuk ka përfunduar, ndërsa greva e fundit shton një tjetër vështirësi për funksionimin e transportit hekurudhor në vend./ZËRI

MOS HUMB