Bota

Kreu i Nvidia pranoi lidhjen jashtëmartesore me kinezen e dyshuar si spiune,Trump: Djalë i ndershëm

Vetë Jensen Huang pranoi se kishte qenë ‘i pabesë’ ndaj bashkëshortes së tij, duke kërkuar falje për dhimbjen që, sipas tij, u ka shkaktuar asaj dhe fëmijëve të tyre.

F.I

Kreu i Nvidia pranoi lidhjen jashtëmartesore me kinezen e dyshuar si

SHBA- Presidenti Donald Trump ka patur një regaim për rastin e drejtorit ekzekutiv të gjigantit amerikan të teknologjisë Nvidia, Jensen Huang, i cili konfirmoi lidhjen jashtëmartesore me biznesmenen kineze Alice Huang, e cila është nën hetim nga autoritetet amerikane të inteligjencës për dyshime mbi spiunazhin dhe kontrabandën e mikroçipave drejt Kinës. Trump mbështeti drejtorin ekzekutiv të Nvidia, Jensen Huang, duke u shprehur para gazetarëve se duhet të dëgjohet.

"Mendoj se ai është një djalë i ndershëm. Mendoj se ai ndoshta ka një justifikim për këtë. Duhet ta dëgjoni,"-u shpreh Trump.

Ndërkohë, vetë Jensen Huang pranoi se kishte qenë ‘i pabesë’ ndaj bashkëshortes së tij, duke kërkuar falje për dhimbjen që, sipas tij, u ka shkaktuar asaj dhe fëmijëve të tyre.

"Isha i pabesë ndaj bashkëshortes sime. Veprimet e mia e lënduan atë dhe fëmijët tanë. Nuk ka asnjë justifikim për atë që bëra. Më vjen jashtëzakonisht keq”, deklaroi ai.

Bordi drejtues i Nvidia-s publikoi një deklaratë të veçantë, ku konfirmoi nisjen e një hetimi të pavarur pas raportimeve se themeluesi dhe drejtori ekzekutiv i kompanisë mund të ketë qenë objekt i një operacioni të inteligjencës së huaj. Zyrtarët amerikanë të inteligjencës dyshojnë se biznesmenia kineze Alice Huang, e cila kishte pasur një marrëdhënie të afërt me drejtuesin e Nvidia-s, punonte për Ministrinë e Sigurisë Shtetërore të Kinës.

Bordi theksoi se siguria kombëtare dhe ekonomike e Shteteve të Bashkuara mbetet përparësi, duke shtuar se, deri më tani, nuk ka të dhëna që të provojnë se janë komprometuar informacionet konfidenciale të kompanisë apo interesat e sigurisë kombëtare. Megjithatë, hetimi do të shqyrtojë të gjitha informacionet e disponueshme për të sqaruar rrethanat e çështjes.

Çështja ka tërhequr edhe vëmendjen e Kongresit amerikan. Javën e kaluar, disa anëtarë të tij i kërkuan Jensen Huang të paraqitej përpara ligjvënësve për të dhënë shpjegime lidhur me raportimet për marrëdhënien e tij me biznesmenen kineze. Tre drejtues të komisioneve të Dhomës së Përfaqësuesve, të gjithë republikanë, i kërkuan atij të dëshmonte gjatë këtij muaji për protokollet e sigurisë së Nvidia-s kundër përpjekjeve të spiunazhit nga shtete rivale.

MOS HUMB