TIRANË- Gjykata Kushtetuese rrëzoi më 8 tetor kërkesën e PD-së për dekretin e ministres Diella, ndërsa sot ka publikuar vendimin e arsyetuar. Kushtetuesja rrëzoi kërkesën e 39 deputetëve demokratë, duke argumentuar se dispozitat e kundërshtuara nuk kanë karakter normativ dhe se kërkuesit nuk legjitimohen për të ngritur një mosmarrëveshje kompetencash.
Në vendim, Gjykata argumenton se dekreti nuk përbën një bazë juridike autonome dhe të mjaftueshme për krijimin e kompetencave, detyrimeve apo strukturave të reja.
“Nuk rezulton se ai përbën, në vetvete, bazë juridike autonome dhe të mjaftueshme për krijimin e kompetencave, detyrimeve ose strukturave të reja. Veprimet ose aktet e mëtejshme duhet të gjejnë mbështetjen e tyre në burimin juridik të kompetencës së organit që i ndërmerr”, thuhet në paragrafin 29 të vendimit.
Më tej, Gjykata thekson se nuk rezulton që “Diella” të jetë emëruar si anëtare e Këshillit të Ministrave dhe e cilëson si një platformë të inteligjencës artificiale që nuk përfaqëson një person real fizik dhe nuk gëzon karakteristikat e një ministrie.
"Gjykata konstaton se nga përmbajtja e dekreteve nuk rezulton se “Diella” është emëruar si anëtare e Këshillit të Ministrave ose si funksionare e një organi të parashikuar në Kushtetutë...Ajo nuk gëzon karakteristikat ose tiparet e “ministrisë” si person juridik të lidhura me pasjen e një strukture organizative, të pavarësisë pasurore dhe të përgjegjësisë së pavarur juridike dhe institucionale për veprimet që kryen dhe aktet që nxjerr nën drejtimin dhe autoritetin e ministrit virtual “Diella”, që nuk gëzon as cilësinë individuale si person fizik", theksohet ndër të tjera në vendim.
Gjykata sqaron se nuk mund ta shqyrtojë çështjen në themel. Ajo argumenton se kërkesa nuk përfshihet në kompetencën e saj për kontrollin e akteve normative apo verifikimin e zgjedhjes dhe emërimit të funksionarëve kushtetues.
Më 8 tetor, Gjykata Kushtetuese rrëzoi kërkesën e 39 deputetëve të Partisë Demokratike, të cilët kërkonin shfuqizimin e dekretit të Presidentit për emërimin e ministres "Diella". Në padinë e tyre, deputetët pretendonin se "Diella" nuk përmbush cilësitë e një ministri dhe dekretimi i saj nga Presidenti Bajram Begaj ka qenë në shkelje të ligjit.
Në padi, PD i kërkoi Gjykatës shfuqizimin, si antikushtetues, të dekretit të Presidentit për “ngritjen dhe funksionimin e Ministrit Virtual të Inteligjencës Artificiale Diella”./ZËRI