Aktualitet

Akuzohet për shkelje me tenderin 700 mijë €, SPAK kërkon 2 vite burg për Benet Becin

Mësohet se në konkluzionet përfundimtare, SPAK i ka kërkuar Gjykatës së Posaçme që dënimi me burg për Becin të konvertohet në 4 vite shërbime prove.

zh.ll
Akuzohet për shkelje me tenderin 700 mijë €, SPAK kërkon 2
benet beci

TIRANË- Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka kërkuar 2 vite burg për kryetarin e Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, i cili akuzohet për veprën penale të shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike.

Mësohet se në konkluzionet përfundimtare, SPAK i ka kërkuar Gjykatës së Posaçme që dënimi me burg për Becin të konvertohet në 4 vite shërbime prove. Nëse gjykata pranon kërkesën e SPAK, kryebashkiaku i Shkodrës nuk do ta vuajë dënimin në burg, por do t’i nënshtrohet shërbimit të provës për një periudhë 4-vjeçare.

Sipas hetimeve, Beci, në bashkëpunim me 6 vartësit e tij, dyshohet se ka vepruar në kundërshtim me legjislacionin për prokurimet publike, duke paracaktuar dhe krijuar avantazhe e privilegje të padrejta për kompaninë fituese të tenderit, “Consulting & Management Albania” sh.p.k.

Konkretisht Benet Beci akuzohet për aferën në një tender me vlerë deri në 700 mijë euro apo 700 milionë lekë, të zhvilluar nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), gjatë kohës që Beci ishte administrator i saj. Afera e tenderit, u zbulua gjatë hetimeve dhe sekuestrimit të telefonit të ish-kreut të ARRSH-së Evis Berberit dhe bashkëshortes së tij.

SPAK e mori të pandehur Benet Becin, bashkë me 6 persona të tjerë, të akuzuar për shkelje të barazisë në tendera. Të pandehurit janë: Benet Beci, Adela Ruko, Edlira Mitrushi, Jonid Kazani, Yllka Nishku, Premtim Dauti, Rudin Gjoni. /ZËRI

MOS HUMB