TIRANË- Autori i grabitjes së filialit të bankës “Raiffeisen” në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë është arrestuar një javë pas ngjarjes. Policia ka publikuar pamjet filmike që zbardhin dinamikën e grabitjes, si dhe momentin e arrestimit të 50-vjeçarit Robert Duka.
Në pamjet e publikuara, shihet momenti i parë kur autori mbërrin pranë bankës me një monopatinë dhe hyn në ambientet e filialit me armë në dorë. Sapo kalon derën, ai drejton armën nga roja i sigurisë dhe më pas niset drejt arkës. Në një moment, një vajzë tenton të largohet nga banka, por nuk arrin të dalë pasi dera është e kyçur. Ndërkohë, nën kërcënimin e armës, autori kërkon paratë dhe më pas sërish merr rojën nën kërcënim, teksa largohet nga ambientet e bankës.
Policia ka publikuar gjithashtu pamjet nga arrestimi i 50-vjeçarit, si dhe sendet e sekuestruara gjatë operacionit, mes të cilave veshjet e përdorura gjatë grabitjes dhe paratë e gjetura në posedim të tij./ZËRI