TIRANË-Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka regjistruar akuza të reja për ish-drejtoreshën e SHISH, Vlora Hyseni, e cla ndodhet nën masën e sigurisë 'arrest shtëpie'. Raportohet se Hyseni po hetohet për “pastrim parash” dhe “korrupsion”, akuza të cilat rëndojnë më shumë pozitën e saj. SPAK po verifikon një transfertë në një kompani ku është i punësuar vëllai i Vlora Hysenit, Izet Dingler. Ndërkohë po verifikohen edhe disa listpagesa që janë gjetur në zyrën e 'EATABACCO' të Ergys Agasit.
Akuzat e reja vijnë në kuadër të hetimeve të dosjes së AKSHI-t, ku ajo dyshohet për përfshirje në veprimtari që lidhen me biznesmenin Ergys Agasi. Hyseni akuzohet se i ka ofruar ndihmë Ergys Agasit gjatë kohës që ai ishte në arrati.
Ish-drejtuesja e Shërbimit Informativ Shtetëror akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për veprat penale të përkrahjes së autorit të krimit dhe nxjerrjes së sekreteve shtetërore.
Në kuadër të hetimit në pranga kanë rënë edhe Fatjon Kalluçi, shef tek laboratori Shkencor i Policisë, si edhe Embro Sulejmani, kryekamerieri i lokalit te rezidenca qeveritare në Durrës, i cili dyshohet se ka fshirë kamerat e sigurisë pas arrestimit të Ergys Agasit për të fshehur gjurmët e tij në këto ambiente. Në dorën e SPAK kanë rënë disa materiale sekrete të SHISH, ku 9 prej tyre janë gjetur në makinën e Agasit, në kuadër të kontrolleve në “Equos Resort” më datë 22 korrik. Me urdhër të GJKKO kontrolle u kryen edhe në banesën e ish-kryepolicit Ilir Proda./ZËRI