Aktualitet

Grabiti 'Raiffeisen', Drejtori i Policisë Tiranë: 50-vjeçari edhe autor i vjedhjes te 'OTP Bank' (VIDEO)

Në një deklaratë për mediat, Torba bën me dije se pavarësisht maskimit, identifikimi i autorit është bërë i mundur përdorimit të sistemeve teknologjike.

F.I
Grabiti 'Raiffeisen', Drejtori i Policisë Tiranë:
Oliger Torba

TIRANË- Drejtori i Policisë së Tiranës, Oliger Torba, ka ndarë detaje nga arrestimi i autorit të grabitjes së 60 mijë eurove në filalin e 'Raiffeisen' në zonën e Komunës së Parisit, një javë më parë. 

Në një deklaratë për mediat, Torba bën me dije se pavarësisht maskimit, identifikimi i autorit është bërë i mundur përdorimit të sistemeve teknologjike. Sipas deklaratës, gjatë kontrolleve në banesën e 50-vjeçarit me dy identitete, Robert Duka alias Albert Duka, autoritetet sekuestruan 8 200 euro, veshje që dyshohet se janë përdorur gjatë kryerjes së grabitjeve dhe dy telefona celularë.

Gjithashtu, Drejtori i Policisë deklaroi se 50-vjeçari dyshohet si autor i një vjedhje tjetër në qershor të këtij viti, në 'OTP Bank', në Tiranë. 

Deklarata e Drejtorit të Policisë së Tiranës, Oliger Torba:

Sot jemi këtu për t’ju informuar mbi rezultatet e punës hetimore të Policisë së Tiranës, për zbardhjen e dy vjedhjeve me armë në dy filiale bankare, si dhe goditjen e një rasti të trafikimit të lëndëve narkotike nëpërmjet Aeroportit të Rinasit.
 
Pavarësisht angazhimit intensiv të strukturave të Policisë gjatë protestave, për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, puna hetimore për zbardhjen e ngjarjeve kriminale ka vijuar pa ndërprerje.
Si rezultat i hetimeve të thelluara, të kryera me metoda speciale, nga strukturat hetimore, nën drejtimin e Prokurorisë, u finalizua operacioni policor i koduar “Gjuetari i Bankave”.
 
Në kuadër të këtij operacioni u identifikua dhe u ndalua shtetasi R. D., alias A. D., 50 vjeç, i dyshuar si autor i dy vjedhjeve nën kërcënimin e armës së zjarrit, të kryera më datë 02.06.2026 dhe 02.11.2026, në dy filiale bankare në Tiranë.
Identifikimi i tij u arrit falë punës profesionale hetimore, përdorimit të sistemeve teknologjike për identifikimin e personave pavarësisht maskimit, si dhe analizimit të veshjeve të përdorura gjatë vjedhjeve.
 
Gjatë kontrolleve u sekuestruan ;
- 8 200 euro,
- Veshje të përdorura gjatë kryerjes së veprave penale
- 2 aparate celularë.
Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të këtyre ngjarjeve.
 
Ndërkohë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Fly”, specialistët për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Rinas dhe autoritetet doganore, bazuar në informacionet e siguruara ushtruan kontroll në bagazhet e pasagjerëve të linjës ajrore Athinë–Rinas. Gjatë kontrollit, në një valixhe u gjetën dy paketime me material bimor, të dyshuar si lëndë narkotike Cannabis sativa. Pas veprimeve intensive hetimore u identifikua poseduesi i dyshuar i valixhes, shtetasi grek M. P., 51 vjeç, i cili ishte larguar nga aeroporti menjëherë pas mbërritjes.
 
 Shërbimet e Policisë bënë të mundur lokalizimin dhe kapjen e tij në rrugën e Durrësit, ku u arrestua në flagrancë për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”.
Lënda e dyshuar narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
 
Gjithashtu, dje, nga Strukturat hetimore, u kapën dhe u ndaluan 3 shtetas me masë sigurie “Arrest me burg” konkretisht;
- O.K. 29 vjeç
- G.S. 28 vjeç
- S.H. 20 vjeç

MOS HUMB